Paris 2024/ Ekipi olimpik i Kosovës përfundon Lojërat Olimpike me dy medalje

schedule15:49 - 3 Gusht, 2024

schedule 15:49 - 3 Gusht, 2024

Ekipi olimpik i Kosovës do të kthehet në atdhe me dy medalje olimpike nga nëntë të mundshme nga Lojërat Olimpike, pasi Hana Beiqi dhe Gresa Bakraçi ishin atletet e fundit kosovare që garuan në Paris 2024.

Beiqi dhe Bakraçi dështuan qysh në rrethet e para në garat e tyre përkatëse të shtunën në kryeqytetin francez, duke ngelur pa medalje.

Notarja 15-vjeçare doli e fundit në baterinë e saj, me kohën 27.34 sekonda, pamjaftueshëm për ta siguruar një vendin në mesin e 16 më të mirëve. Ky ishte debutimi i saj në Lojëra Olimpike.

Bakraçi, ndërkohë, u diskualifikua nga gara në 800 metra vrapim, pasi theu rregullat duke e shkurtuar rrugën e vrapimit, pasi doli para kohe nga korsia e saj.

Megjithatë, ekipi olimpik do të kthehet në Kosovë me dy medalje olimpike nga kjo Olimpiadë, pasi kampionia olimpike nga Tokio 2020, Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo, ndërsa Laura Fazliu e fitoi medaljen e bronztë në debutimin e saj.

Fazliu triumfoi në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Në këto lojëra e shënoi debutimin si trajnere edhe xhudistja legjendare kosovare, Majlinda Kelmendi, duke e fituar medaljen e parë olimpike në rolin e saj të ri, si trajnere Fazliut.

Kelmendi shkroi historinë e sportit kosovar kur e bë kampione olimpike në debutim në Lojërat Olimpike Rio 2016.

Përveç Beiqit dhe Bakraçit, medalje nuk arritën të fitojnë as Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Donjeta Sadiku.

Kosova udhëtoi drejt Parisit me nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil dhe prej atëherë i ka fituar pesë medalje olimpike, tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, që të gjitha në xhudo. /rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!