Paratë ruse “trazojnë” sërish demokratët, çfarë deklarojnë deputetët e PD

schedule16:18 - 14 Shtator, 2022

schedule 16:18 - 14 Shtator, 2022

Pas publikimit në mediat amerikane të një artikulli, i cili rikthen përmes deklarimeve të reja çështjen e lobimit rus në Partinë Demokratike, deputetët e kësaj force politike kanë komentuar çështjen e parave ruse.

Deputetët i konsiderojnë të papranueshme akuzat, ndërkohë që kanë kërkuar përgjegjësi ligjore për ata që kanë pasur të bëjnë me ketë çështje.

“Çdo anëtar i Partisë Demokraike do të ndihej i neveritur nëse para ruse mund të ketë pasur, edhe ndikimin më të vogël”, u shpreh deputeti Ervin Salianji.

“Unë them se riciklimi i akuzave të vjetra nuk i shërben as qytetarëve as publikut”, tha Tabaku.

“Duhet sa më tepër t’i largohet historisë së errët të lindjes. Nuk e ka, vënë ndonjëherë në dyshim DASH”, u shpreh Grida Duma.

“Nuk ka dalë provë tjetër, ky argument është përdorur vite më parë dhe zoti Lulzim Basha ka dhënë shpjegime”, tha Xhaferaj.

“Nëse janë të vërteta këto janë të papranueshme. Unë nuk besoj se është rasti, por nëse ndodh, kushdo që është i përfshirë një standard është nga SHBA partneriteti i PD duhet të jetë i pacënueshëm”, theksoi Kreshnik Çollaku.

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën. Ishte ky artikulli i mediave amerikane, që i referohej deklaratës së një zyrtari të lartë në SHBA.

Sipas zyrtarit, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!