Paraqitje pozitive të “legjionarëve” nëpër botë, “kuqezinjtë” protagnonistë të 6 golave

schedule10:36 - 5 Shkurt, 2024

schedule 10:36 - 5 Shkurt, 2024

Fundjava që sapo lamë pas ka qenë mjaft pozitive për një pjesë të legjionarëve të Kombëtares shqiptare.

Odise Roshi po kalon një formë shumë të mirë në kampionatin turk. Mesfushori kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në sfidën e Sakaryaspor ndaj Bandirmaspor. Goli i Roshit në minutën e 68′-të ishte vendimtar pasi sfida përfundoi 1-0 dhe Sakaryaspor mori tre pikë shumë të rëndësishme.

Te goli u rikthye edhe Armando Sadiku. Sulmuesi kuqezi realizoi një gol shumë të bukur në barazimin 2-2 të Mohun Bagan ndaj East Bengal. Sadiku e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 17′-të të pjesës së parë.

Një formë fantastike po kalon edhe Cristian Shpendi. Sulmuesi i shpresave vendosoi fitoren e radhës të Cesenas në kampionat ndaj Fermana. Sfida përfundoi 1-0 dhe Shpendi gjeti golin e 14-të në kampionat.

Edhe pse në ndeshje miqësore Taulant Seferi, Ernest Muçi dhe Mario Mitaj gjetën rrugën e rrjetës me skuadrat e tyre.

Pas formës së mirë që po tregonte në kampionat në Emiratet e Bashkuara Arabe me skuadrën e Bani Yas, sulmuesi i Kombëtares vijon të jetë deçiziv me golat e tij edhe në miqësore. Taulant Seferi gjeti sërish rrugën e rrjetës në sfidën Bani Yas-Al-Tawoon.

Edhe Ernest Muçi është gati për startin e pjesës së dytë të sezonit me Legian e Varshavës. Sulmuesi kuqezi e nisi si titullar ndeshjen miqësore ndaj Rzeszow dhe shënoi golin e parë të takimit në fitoren 3-1.

Mario Mitaj gjeti rrugën e rrjetës me Lokomotiv Moscow në ndeshjen miqësore ndaj Kairat Almaty. Mbrojtësi kuqezi e nisi si titullar takimin dhe realizoi golin e dytë në fitoren 4-1.

Armando Broja bëri debutimin e tij me skuadrën e re, Fulham. Sulmuesi kuqezi u transferua në minutat e fundit të merkatos nga Chelsea te Fulham në formë huazimi dhe debutoi në sfidën ndaj Burnley.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Adrian Ismajli, Nedim Bajrami dhe Rey Manaj, ndërsa Keidi Bare, Myrto Uzuni, Arbnor Muja dhe Sokol Cikalleshi dhanë kontributin e tij si zëvendësues. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!