Një ngjarje kriminale është parandaluar në Sarandë. Katër persona kishin planifikuar rrëmbimin e një 49-vjeçari nën kërcënimin e armës, për motive të dobëta.
Të enjten, në rrugën “Skënderbeu”, në lagjen nr.1, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ndaluar automjetin tip “BMW”, brenda të cilit udhëtonin të katër personat.
Gjatë kontrollit në automjet, në vendin e pasagjerit, ku qëndronte 29-vjeçari Juljan Brinja, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Bashkë me të ka qenë edhe vëllai i tij, Sandri Brinja.
Të katër personat akuzohen për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”./abcnews.al