EMRI/ Sekuestrohen dy mina me telekomandë në Lezhë, arrestohet 24-vjeçari, i kishte fshehur në trup

schedule09:55 - 22 Mars, 2024

schedule 09:55 - 22 Mars, 2024

Policia e Lezhës ka parandaluar ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë.

Për pasojë është arrestuar Arkil Selimi, 24-vjeç, i cili u kap nga shërbimet e policisë me 2 mina me telekomandë të fshehura në trup, për t’ua shitur grupeve kriminale.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin kundër Trafiqeve të Paligjshme, Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, Forcat Operacionale dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas nga Fushë Kruja, po udhëtonte në drejtim të Lezhës dhe kishte me vete mina me telekomandë, për t’ua shitur grupeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Horizonti”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në afërsi të Milotit, shtetasin e dyshuar Arkil Selimi. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arkil Selimi, 24 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.“, thuhet në njoftimin e policisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!