Ish-kryeministri shqiptar i periudhës së luftës së Kosovës, Pandeli Majko, aktualisht ministër i Diasporës ka reaguar ashpër pas paralajmërimit për luftë të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Majko e cilëson të papërgjegjshme deklaratën e kreut të shtetit serb që u shpreh se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende dhe e konsideron atë “të ngrirë”.
Ish-kryeministri thotë se kjo është shmangie e deklaratës së firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesit të integrimit evropian. Megjithatë ai ka edhe një paralajmërim për Presidentin serb duke i kujtuar gatishmërinë e shqiptarëve që janë në disa shtete.
“KOMENT. Deklarimi i Presidentit të Serbisë për karakterizimin e marrdhënieve me shtetin e Kosovës me statusin e konfliktit të ngrirë të Nagorni Karabakut është i papërgjegjshëm! Jeta e dyfishtë e Serbisë në marrdhëniet ndërkombëtare është rreziku real për stabilitetin rajonal! Presidenti Vucic përcaktoi se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende dhe e konsideron atë “të ngrirë” (!)
Deklarimi i Presidentit serb për “konfliktin e ngrirë” është shmangie e deklaratës së firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesit të integrimit europian. Mendje të ftohta logjistike në Serbi e kuptojnë gatishmërinë e shqiptarëve në disa shtete në se dikush i shkon pas idesë se skenarit të konfliktit. Atij do ti dihet fillimi por jo fundi” shkruan Majko.
Nuk kanë munguar reagimet edhe nga Prishtina për deklaratën e presidentit serb. Ministria e Jashtme e Kosovës kërkoi ndërprerjen e dialogut me Beogradin deri në nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kryeministri i Kosovës Hoti theksoi se deklaratat e Vuçiç nuk i shërbejnë marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa shtoi se janë në kundërshtim me të gjitha qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Por cfarë tha Vuçiç? “Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment”, deklaroi Vuçiç duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan mund të rihapet nëse nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë./ db/Abcnews.al