Paralajmërimi i Trump, Meksika: Nuk do biem pre e provokimeve

schedule23:59 - 31 Maj, 2019

schedule 23:59 - 31 Maj, 2019

Njoftimi i presidentit Donald Trump për rritjen e tarifave tregtare me Meksikën ka lëkundur tregjet financiare amerikane. Ndërkohë, Meksika vetë është përgjigjur duke e cilësuar parullën e Trump “Amerika e Para” një falsitet.

Presidenti i Meksikës ka deklaruar se qeveria e tij nuk do të provokohet, pasi homologu amerikan Donald Trump njoftoi përshkallëzimin e tarifave mbi të gjitha produktet meksikane, derisa vendi të ndalojë emigracionin ilegal.

Manuel Lopez Obrador e cilësoi parullën e zotit Trump, “Amerika e Para” një falsitet dhe tha se drejtësia ndërkombëtare është më e rëndësishme se kufijtë. Ndërkohë, tregjet financiare pësuan humbje të ndjeshme pas njoftimit të presidentit amerikan.

Në Shkurt, Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën, duke thënë se ishte e nevojshme për të ndaluar atë që e quajti një krizë emigracioni. Ndërkohë, deklarata e fundit e shefit të Shtëpisë së Bardhë erdhi pasi autoritetet kufitare amerikane në El Paso të Teksasit ndaluan një grup prej më shumë se 1 mijë emigrantësh, që është dhe grupi i vetëm më i madh që agjentët kanë bllokuar ndonjëherë.

Zëdhënësja e selisë presidenciale Sarah Sanders deklaroi se Meksika mund të kishte bërë më shumë për të ndalur grupin, pasi ai kishte përshkuar gjithë vendin përpara se të arrinte në kufi me Shtetet e Bashkuara. Por presidenti meksikan theksoi se vendi i tij nuk do të bjerë pre e provokimeve.

“Ne do të veprojmë me kujdes dhe në respekt të autoriteteve amerikane dhe presidentit Trump”, deklaroi Lopez Obrador.

Në një letër dërguar Trump, ai tha se Meksika po përmbush përgjegjësitë e saj për të shmangur pa shkelur të drejtat e njeriut kalimin e emigrantëve për në SHBA./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!