Një ditë pas reagimit gjerman ndaj sanksioneve të paralajmëruara nga SHBA për shkak të gazsjellësit Verior 2, Rusia konfirmon se ai projekt do zbatohet. Ka qenë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që citohet nga agjensia Interfaks të jetë shprehur se projektet e Gazsjellësit Verior 2 dhe Gazjellësit Turk do të fillojnë, pavarësisht nga sanksionet amerikane.
Të shtunën presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një paketë sanksionesh ndaj firmave që do të ndërtojnë Gazjellësin Verior 2, që ka si synim dyfishimin e kapacitetin e gazit në Gazsjellësin Verior përmes Detit Baltik drejt Gjermanisë.
Ndërkohë një komision i Senatit amerikan ka miratuar sanksione të tjera ndaj Rusisë për ndërhyrje në proceset demokratike në disa vende, veprimet në Siri, si dhe agresionin ndaj Ukrainës, por ato ende nuk kanë kaluar për votim në Kongres.
Në qëndrimin e tij të së dielës për televizionin publik, Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov tha se Rusia do merrte masa ndaj sanksioneve, ndërsa paralajmëroi se Moska është e gatshme të bëjë një demonstrim të raketës Sarmat për Shtetet e Bashkuara, nëse i zgjatet afati traktatit të ri START për reduktimin e armëve me Shtetet e Bashkuara.
Më herët qeveria gjermane, përmes zëdhënëses Ulrike Demmer kishte deklaruar se Gjermania i refuzon sanksionet amerikane që i quan jashtë territorial, ndaj kompanive ose personave të huaj të përfshirë në ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që transporton gaz rus nën detin Balltik drejt Gjermanisë. “Ato prekin kompanitë gjermane dhe europiane si dhe ndërhyjnë në punët tona të brendshme”, tha zëdhënësja./abcnews.al