Ish ministri i Brendshëm, Bajram Yzeiraj thotë se duhet të ishte mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare, pas paralajmërimit të ambasadës amerikane në Tiranë, se Irani mund të godasë objekte të lidhura me Iranin apo elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Yzeiraj u shpreh se pavarësisht se vendi është anëtar i NATO-s, informacionet duhen verifikuar.
Ndërsa analisti Roland Bejko deklaroi se vendi duhet të merrte masa, pasi ka arsye për t’u shqetësuar.
Bajram Yzeiraj: Mendoj se po. Zhvillimet politike, ushtarake, raportet që kemi ne me SHBA, situata e brendshme, eksperienca e goditjes së bazave amerikane në shtetet e tjera. Është mëse e qartë. Nuk e di pse janë kaq entuziastë që thonë jemi të mbrojtur nga NATO. Verifikoji gjërat, diskutoji. Nuk ka shtet që nuk ka bërë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Duhet të vlerësojnë informacionin dhe të marrin masa, të qetësojnë opinionin publik. Ekziston frika te qytetarët. Nuk mundet kaq indiferent. Sa të vijë NATO këtu, ti duhet të shikosh. Mendoj se duhet ta vlerësojnë.
Roland Bejko: Unë mendoj se Shqipëria duhet të ishte e vëmendshme edhe pa deklaratën e ambasadës së SHBA. Duhet të kishte marrë masa që t’i jepte një lloj qetësie qytetarëve shqiptarë. Irani nuk mund të konsiderohet tigër prej letre. Ushtria më e fortë e botës, e SHBA nuk e ka situatën në kontroll. Perceptimi publik sot në Shqipëri dhe Evropë, është që Irani është i dobët, sot del e kundërta. Sulmon dhe kërcënon. Nëse Ngushtica e Hormuzit ishte e lirë, sot e kontrollojnë iranianët. Ata kontrollojnë tregun financiar. Ne kemi të drejtë të jemi të shqetësuar. Kemi ndërprerë marrëdhëniet dhe kemi strehuar opozitën./abcnews.al


