Paralajmërimi i Guterres: Të bashkëpunojmë për ndryshimet klimatike, ose njerëzimi do të zhduket

schedule22:51 - 7 Nëntor, 2022

schedule 22:51 - 7 Nëntor, 2022

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se liderët botërorë duhet të bashkëpunojnë për zgjidhjen e sfidave të ndryshimeve klimatike, ose njerëzimi do të përballet me zhdukjen.

Guterres thirrjen e drejtoi me theks tek SHBA-ja dhe Kina, si dy nga shtetet ndotëse më të mëdha në botë.

Samiti vjetor i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, ka nisur punimet këtë vit në Egjipt, me thirrjet që vendet të kalojnë “nga epoka e zotimeve në epokën e zbatimit”.

OKB-ja u bëri thirrje vendeve për arritjen e një marrëveshje solidariteti për klimën, që do të përfshinte mbështetjen e mjaftueshme financiare për vendet e varfra në mënyrë që ato të jenë në gjendje të përballojnë efektet e ngrohjes globale.

Guterres përsëriti thirrjet për vendosjen e një takse ndaj fitimeve të mëdha të kompanive të prodhimit të naftës.

Ai kishte deklaruar edhe më herët se shtetet duhet t’i bëjnë prioritet ndryshimet klimatike, ose në të kundërtën bota do të përballet me katastrofë.

Më shumë se 120 liderë botërorë pritet të mbajnë fjalime në këtë konferencë, të njohur si COP27.

Liderët do të flasin në këtë konferencë të hënën dhe të martën, dhe pas largimit të tyre, delegacionet do të nisin negociatat se çfarë mund të bëhet. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!