Paralajmërimi i gazetares: Do të ketë zyrtarë shqiptarë të shpallur non-grata nga SHBA

schedule23:46 - 13 Qershor, 2022

schedule 23:46 - 13 Qershor, 2022

Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se do të ketë zyrtarë të shpallur non grata dhe nga Britania. Lala tha në emisionin “Open” se emrat nuk do të bëhen publikë, ndryshe nga politika e SHBA-ve, por se do iu ndalohet të shkelin në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë eksperti i sigurisë publike Fabian Zhilla duke iu referuar rastit të ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku i cili u kap me 20 kg kokainë në Itali, tha se duhet të kishte një ndjesë nga ana e maxhorancës.

Gazetari Ferdinand Dervishi deklaroi se Rama duhet të dalë dhe të na flasë a është më etalon ky njeri.

Zhilla: E para është modeli që iu japim njerëzve, kur ti vendos para komunitetit Agim Kajmakun është e vështirë të thuash që politika nuk i njeh kandidatët. Politika është bërë shumë e shtrenjtë, kërkon shumë para dhe kërkon paratë e paligjshme. Nuk ka përgjegjësi personale, në momentin që një forcë politike zgjedh një njeri që kapet me 20 kg kokainë se nuk ishte kanabis, do të thotë që është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare, minimumi duhet të kishte një ndjesë. Është ulëritëse.

Lala: Drejtori i Ujësjellësit në Kurbin grabitës në Spanjë, një skifter. Nuk ka pasur një ndjesë publike. Vërtetë na kaloi, e zbuluam ju kërkuam shumë ndjesë. Janë bërë aq të mëdha rastet sa nuk mjafton me një ndjesë, por duhet përgjegjësi. Dikush duhet të ikë.

Dervishi: Ka pafund studentë shqiptarë që diplomohen shkëlqyer dhe vijnë në Shqipëri i gjejnë dyert e mbyllura. Krimit si në rastin që folëm, e kanë shumë më të thjeshtë në këtë terren të bëjnë dhe të shiten si Agim Kajmaku dhe pa pikë turpi kryeministri i Shqipërisë të thotë ky është etaloni. Të dalë dhe të na flasë a është më etalon ky njeri.

Zhilla: Dekriminalizimi vetëm evidentoi. Nuk është se nuk janë treguar gjërat.

Lala: Ish-ambasadori britanik Duncan Norman, i cili është kthyer në Shqipëri me një projekt të qeverisë britanike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit la të nënkuptohej në një intervistë që do kishte non-grata, por nuk do të shpalleshin publikisht siç kanë bërë SHBA-të, por do t’iu komunikohet personave. Që do të thotë shumë shpejt ne do të mësojmë që zyrtarë të lartë të qeverisë apo të opozitës mund të mos shkelin më në tokën e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të këtyre masave. Problemi është i tillë, krushqia mes krimit dhe politikës lidhet për një arsye, për zgjedhjet.