Paralajmërimi “i fundit” i Lunaçek për Kosovën: “Miratoni demarkacionin me Malin e Zi”

schedule15:43 - 31 Tetor, 2017

schedule 15:43 - 31 Tetor, 2017

Pak para përfundimit të misionit të saj si raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek paralajmëroi Prishtinën zyrtare që të miratojë sa më shpejt demarkacionin me Malin e Zi, ose rruga drejt vizave mund të mbyllet.

Ish-deputetja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, deklaroi se Bashkimi Europian nuk njeh marrëveshje të re për demarkacionin, duke kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e quajë mashtruese BE-në, për një marrëveshje të cilën e ka nënshkruar vetë. Ajo i bëri apel deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë në vendet e BE-së pa viza. Lunaçek theksoi se ishte në dijeni se kryeministri i ri ka emëruar një komision të ri, por tashmë vendimi është në duart e Kuvendit të Kosovës. Ajo shtoi se kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar pasi ka të bëjë me të drejtat e qytetarëve që të lëvizin lirshëm. Sipas saj, ky është kusht për liberalizimin e vizave dhe Kosova ka pasur kufij të qartë me Shqipërinë e Maqedoninë, por jo me Serbinë dhe Malin e Zi. Duke këmbëngulur dhe njëherë se Thaçi nuk ka të drejtë të akuzojë Bashkimin Europian për një marrëveshje që ai ka nënshrkuar në kohën kur ishte ministër i Jashtëm dhe për të cilën Kosova ishte në dijeni që nga 2013, Lunaçek bëri të qartë se dhe pse kryeministri Haradinaj po përpiqet të gjejë një rrugëdalje, BE e ka të qartë marrëveshjen dhe Mali i Zi e ka ratifikuar tashmë.