Paralajmërimet amerikane/ Ish ministri i Brendshëm: Masat të merren për qeverinë e Kosovës, jo policinë. Po vepron në dëm të shtetit

schedule17:32 - 30 Shtator, 2024

schedule 17:32 - 30 Shtator, 2024

Ish ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti komentoi raportimet se SHBA-të kanë përjashtuar Njësitet Speciale të Kosovës nga trajnimet ndërkombëtare. Në një intervistë për emisionin “Balkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, ai tha se masa të tilla janë vërtet shqetësuese.

Sipas tij, SHBA-të, me këto masa, duhet të shënjestrojnë qeverinë e Kosovës, dhe jo policinë. Ai thotë qeveria Kurti po ndjek një axhendë në dëm të shtetit, por që i siguron asaj një tjetër mandat.

“Sanksionet që vijnë nga SHBA kanë një peshë tjetër dhe i marrim me shqetësim shumë më të madh. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë kur është fjala me mbështetjen që ka policia, se siç e dini, është themeluar në një asistencë direkte të SHBA dhe BE dhe në vazhdimësi ka marrë këtë mbështetje përmes trajtimeve. Siç e dini, kemi pasur me këtë qeveri edhe një rast tjetër, ku para dy vitesh, ushtria u përjashtua nga një ushtrim regjional, ku kishte të bënte me agjendat e ushtrive të NATO-s dhe padrejtësisht e mori këtë sanksion. Ndoshta mund të ndodhë edhe me policinë. Nuk është në dorën tonë. Qeveria e Kosovës po vazhdon të ketë një agjendë jo në interes të shtetit por të partisë në pushtet për një mandat tjetër. Prej fillimit, kjo qeveri kishte këtë agjendë dhe kjo po e dëmton vendin tonë. Do të luteshim të kërkonim prej partnerëve që nëse në agjendat e tyre kanë masa të tilla t’i orientojnë vetëm të pjesa politike dhe te kjo qeveri që merr vendime të tilla sepse policia dhe ushtria e Kosovës e kanë bërë punën e tyre mirë.”, u shpreh ai./abcnews.al