“Parajsa fiskale” në veri të Kosovës

schedule17:46 - 21 Tetor, 2021

schedule 17:46 - 21 Tetor, 2021

Në katër komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës (Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok), 3,691 biznese të profileve të ndryshme janë të regjistruara në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Por, nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare se sa nga to janë aktive dhe a janë të pajisura me pajisje elektronike fiskale.

Potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet, rrjedhimisht tatimet e obliguara për të paguar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka vizituar disa nga bizneset në këto komuna, por jo të gjitha janë të pajisura me arka fiskale.

Afaristë nga veriu: Nuk jemi të gatshëm të pranojmë arka nga institucionet e Kosovës

Një biznesmen nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, i cili nuk dëshiroi të identifikohet, tha se askush nuk i ik pagesës së taksave, por fillimisht, siç tha ai, duhet të zbatohet Marrëveshja e Brukselit. Aktualisht, ai u shpreh se nuk është i gatshëm të pranojë pajisje fiskale të sistemit të Kosovës.

“Nëse nesër formohet Asociacioni i Komunave Serbe, atëherë le të shohim përmes komunitetit se si do të bëhet më tej, konkretisht kur bëhet fjalë për taksat dhe gjithçka tjetër që lidhet me taksat. Ne e presim atë absolutisht, sepse shumë gjëra nuk janë zgjidhur dhe ne nuk e dimë se si do të sillemi”, thotë ai.

Bytyqi-Sefa: Qasja në atë pjesë nuk është e lehtë

Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), pohojnë se zhvillimi i aktiviteteve zyrtare në atë pjesë nuk është proces i lehtë. Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në këtë institucion, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se administrata ka pasur aktivitete edhe në pjesën veriore, por jo aq sa duhet dhe aq sa ka nevojë. Inspektimet në atë pjesë, për shkak të sigurisë, në të shumtën e rasteve realizohen me mbështetje të Policisë së Kosovës.

“Duke marrë parasysh se nga ana e komunitetit atje ka pasur rezistencë ose hezitim që administrata ose një institucion i Kosovës të kryejë aktivitete, ne kemi sektorë të komunitetit serb, të cilët zhvillojnë aktivitetin në atë pjesë dhe kemi të hyra nga ajo pjesë”, thekson ajo.

Edhe pse ende nuk ka një përgjigje të saktë nga administrata se sa biznese janë aktive dhe sa janë të fiskalizuara, Bytyqi-Sefa shprehet se nga muaji janar deri në muajin shtator të këtij viti, vlera e tatimeve të marra nga këto biznese, pa kontribute pensionale, është 810 mijë euro.

Në rast të mosinstalimit të pajisjeve elektronike fiskale, sipas Ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës, çdo person i nënshtrohet një ndëshkimi administrativ prej një mijë euro për çdo shkelje të tillë.

Bytyqi-Sefa, ndërkaq, vlerëson se qasja e administratës do të jetë edhe më e vështirë në komunat e banuara me shumicë serbe, pas aksionit të fundit të Policisë dhe Doganës së Kosovës.

Edhe zyrtarë të Doganës së Kosovës, disa herë kanë thënë se pjesa në veri të Kosovës, që kufizohet me Serbinë, konsiderohet si zona më e prekur nga kontrabanda.

Policia dhe Dogana e Kosovës gjatë një aksioni kundër kontrabandës së mallrave, të zhvilluar më 13 tetor në disa rajone të Kosovës – përfshirë edhe komunat në veri – sekuestruan mallra dhe dëshmi të tjera në vlerë qindra mijëra euro.

Por, ky aksion u prit me protesta dhe bllokada nga qytetarët në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Tahiri: Veriu është oazë e korrupsionit dhe kontrabandës

Procesi i vendosjes së arkave fiskale në Kosovë ka filluar në vitin 2010 dhe qëllimi nga Administrata Tatimore e Kosovës ishte evitimi i evazionit fiskal.

Në raportet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë është më shumë se 30 për qind e bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliardë euro në vit.

Isa Tahiri, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Mitrovicës, thekson se vendosja e arkave duhet të realizohet te të gjitha bizneset në territorin e Kosovës, pavarësisht në cilin vend operon.

Sipas tij, përmes shmangies së lëshimit të kuponëve fiskalë, krijohet konkurrencë jo e drejtë, bizneset u ikin obligimeve tatimore duke krijuar evazion fiskal dhe dëmtim të buxhetit.

“Kur bizneset nuk janë të fiskalizuara, ato merren edhe me kontrabandë. Kjo është vërtetuar edhe nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës. Një produkt që hyn në formë të kontrabanduar, çmimi është shumë më i lirë edhe fitimi është dyfish më i lartë nga produktet që iu nënshtrohen tatimeve”, thekson ai.

Leverdia financiare e bizneseve për të operuar në këtë pjesë, sipas tij, është e madhe pasi përveç mospagesës së obligimeve tatimore, ato nuk paguajnë as energjinë elektrike dhe ujin e shpenzuar.

“Kjo ndikon shumë te qytetarët dhe afaristët e viseve tjera. Kjo çështje të merret në mënyrë gjenerale, jo të bëhet dallim pjesa veriore dhe jugore, kjo ndikon direkt në buxhetin e Kosovës. Republika e Kosovës për këtë pjesë duhet të ndërpresë edhe Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit”, shprehet ai.

Fondi, rryma, uji…

Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit është themeluar mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për Doganat. Sipas kësaj marrëveshjeje, paratë e mbledhura përmes mallrave që importohen në pikat kufitare në veri, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak, të destinohen në Fondin për zhvillimin e katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Ky fond, aktualisht, ka në dispozicion 2.5 milionë euro. Qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës, në vitin 1999 nuk paguajnë as faturat e rrymës dhe ujit të shpenzuar./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!