Nga Ajgena Korbi
Paraditja e të premtes ishte më e qetë përpara spitalit Covid 2 në Tiranë. Asnjë autoambulancë nuk erdhi për të sjellë të sëmurë ndërsa uniformat blu vijonin të kontrollonin hyrje daljet në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Me afrimin e orarit të caktuar nga personeli shëndetësore për të marrë ushqimet apo veshjet për pacientët e shtruar mbërritën dhe familjarë të tyre.
“Kam mamin të shtruar, kam komunikuar me telefon, gjithashtu kam komunikuar edhe me doktorin. Po i dërgoj ujë, pasi e kërkoi ajo vetë”, tregon një qytetar.
Shumë prej tyre refuzojnë të flasin para kamerave.
Të tjerë na tregojnë se komunikojnë me të afërmit ndërsa disa kërkojnë ndihmën e medias për të ditur rreth shëndetit të familjarëve të tyre.
“Telefonin e ka, por e marrim ne pasi nuk di ta përdorë. Tani po i dërgoj ujë, letra. Vijmë tre herë në ditë. Ushqime i japin, por është e sëmurë. Mjekët na thonë që oksigjenin e ka pak më mirë”, tregon një qytetare.
Mediat e kanë të ndaluar të kalojnë derën kryesore të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Ndërkohë në këtë spital një 65 vjeçar dhe një 29 vjeçar të infektuar me koronavirus i kanë dhënë fund jetës duke u hedhur nga dritarja e dhomës ku po mjekoheshin. /abcnews.al/