Parada e Shqiptarisë/ Mbahet të martën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

schedule13:45 - 26 Nëntor, 2023

schedule 13:45 - 26 Nëntor, 2023

Në 28 Nëntor bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të vishet kuq e zi si asnjëherë më parë. Të gjitha bashkitë e trojeve shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë do të jenë në Tiranë për të festuar së bashku 111-vjetorin e Pavarësisë.

Marko Kepi, Presidenti i “Rrënjë shqiptare” , që prej 15 vitesh e organizojnë këtë paradë në New York, e cilëson si historike zhvendosjen e këtij eventi në Tiranë.

“Është shumë e rëndësishme sidomos për ne si diasporë që e kemi pas ëndërr bashkëpunimin me shtetin shqiptar, për paradën është një ditë historike që e sjellim në Tiranë. Hera e fundit që të gjithë shqiptarët kanë qenë bashkë është kur u shpall pavarësia në Vlorë”, tha ai.

Sipas Kepit, 28 Nëntori do të jetë një ditë e bukur për të gjithë shqiptarët.

“Na kanë ardhur më shumë se 70 veta vetëm nga New York, do kemi shumë surpriza. Vetëm nga New York kemi grupe valltarësh, fëmijë të lindur në Amerikë, që vinë për herë të parë në Shqipëri, kemi policë që janë pjesë e policisë amerikane dhe do jenë këtu me uniformë”-shtoi ai.

Drejtorja Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Andriola Kambo, thotë se në një ditë Tirana do të bashkojë të gjithë shqiptarët.

“Tirana, bulevardi, parada do mbyllet në sheshin Skënderbej, do kthehet në një nga sheshet më të bukura të shqiptarisë, 125 qytete pjesë e paradës, do të ketë 150 grupe artistike që do të promovojnë vlerat e qyteteve të tyre”. Sipas Kambos qëllimi është që kjo paradë të kthehet në një traditë në Tiranë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!