Niveli i paraburgosurve në vendin tonë ka arritur shifra të larta krahasuar me vendet e Europës, ccka ka sjellë mbipopullim të burgjeve.
Avokatja Era Maka tha se një prej faktorëve është presioni publik që bën që Prokuroria dhe Gjykata të vendosin masën e sigurisë.
“Për kërkimin e masës së sigurimit personal nuk thellohen në rrethanat personale të individit. Nga prokurori është prirje e përgjithshme. Gjykata bie dakord pa bërë analizë të mëtejshme. Është prirë edhe nga presioni publik, masa e sigurimit nuk është dënimi nga pasoja e veprës penale.”
Avokati Rezart Kthupi tha se gjykatat për komoditet ndjekin automatikisht kërkesat e prokurorisë dhe ky është kthyër në një cikël. Ai theksoi se ky model ka krijuar një situatë ku pala e dobët në proces shpesh nuk mund të kundërshtojë provat që prokuroria nuk i demonstron.
“Media relaton te publiku, kur e relaton prokurori thotë që nuk vë dot një dënim më të ulët se ka dalë lajmi, media informon për një lajm dhe relaton se është dhënë dënim i ulët. Ky është gabim i drejtësisë.
Është e vërtetë që Gjykata e Lartë përpiqet të bëjë uniformitet, por vetë Gjykata e Lartë duhet të zbatonte ato vendime. Gjykata nuk mund të japë një masë më të rëndë se ajo që kërkon prokuroria. Ajo që ndodh rëndom është që prokuroria kërkon arrest me burg dhe kjo është bërë standarde.
Është gjykata që e vlerëson nëse kërkesa e prokurorisë është e saktë. Gjykata edhe për komoditet respekton prokurorinë, kemi hyrë në një cikël. Kemi arritur në një moment terrorizues, kur shkojmë në gjykim duke marrë parasysh që është krijuar ky model, një lloj gjykimi ku bie pala e dobët; në gjykatë duhet të provojë shumë pak gjëra, prokuroria vërteton shumicën, prokuroria këto gjëra nuk i provon dhe unë nuk mund të kundërprovoj atë që prokuroria s’e bën dot.” / abcnews.al /


