Para edhe nga Ligue 1, Marotta-Ausilio “magjistarë” të klauzolave

schedule19:16 - 29 Mars, 2024

schedule 19:16 - 29 Mars, 2024

Ardhja e dyshes Marotta-Ausilio ka rezultuar tepër efikase për merkaton e “Zikaltërve”, me strategët e negociatave, që kanë arritur të mbushin arkat e Inter, me klauzola efikase në kontratat e lojtarëve të shitur apo të huazuar, siç është edhe rasti i “fantazistit” argjentinas, Joaquin Correa, i cili aktualuashit është pjesë e “Të Kaltërve”, të Marseille, në Francë.

Mund të duket e çuditshme, por arkat e “gjigantëve” të Italisë, mund të mbushen edhe nga skuadra e Marseille, pasi në rast se francezët kualifikohen për në edicionin e ardhshëm të Champions League, atëherë huazimi shndërrohet në blerje të detyruar dhe në këtë formë, arka “Zikaltër” do të mbushej me 10 milionë euro.

Për momentin, duket disi e vështirë që Marseille të kualifikohet për në Champions League sezonin e ardhshëm pasi vendi i tretë në Ligue 1 është plot shtatë pikë larg. Ndërkohë, vendi i katërt që mbahet nga Lille është katër pikë larg, por vendi i katërt nuk do të thotë kualifikim, teksa do të duhet që të kalohet turi eliminator para pjesëmarrjes në grupe.

Një shans tjetër, Marseille e ka edhe nga Europa League, turne që duhet ta fitojë. Sigurisht, rrugëtimi aty është edhe më i komplikuar me francezët që në çerekfinale përballen me “Shqiponjat” e Benfica, por pjesë e kompeticionet janë edhe klube si Liverpool, Milan apo Bayer Leverkusen. /i.m /abcnews.al