Udhëzimi i ri për “Paqen Fiskale” dhe marrëveshjet me bizneset po shoqërohet me analiza të detajuara nga ekspertët e fushës, të cilët sugjerojnë kujdes në zbatimin e tij. I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, eksperti i taksave, Edvin Stefani, ka ndarë qëndrimin e tij lidhur me këtë nismë, duke vënë në dukje se ligje të tilla që dalin jashtë rutinës së administrimit tatimor kanë gjithmonë nevojë për rishikime të vazhdueshme.
Sipas Stefanit, ndonëse udhëzimi aktual përmban rregulla të detajuara, natyra e tij komplekse lë gjithmonë hapësirë për gabime në praktikë. Ai nënvizoi se, në formën se si është konfiguruar, ky kuadër ligjor duket se lehtëson më shumë punën e vetë administratës tatimore sesa të sipërmarrjes.
“Në përgjithësi, ligje të tilla që dalin jashtë rutinës së administrimit tatimor kanë gjithmonë vend për rishikime. Ky do të jetë një udhëzim që do të shikohet në vazhdimësi, sepse ka shumë gjëra që janë të detajuara, por ka gjithnjë hapësira për gabime.
Në mënyrën si është konfiguruar udhëzimi, në këtë farë mënyrë ligji duket sikur krijon një lloj lehtësie për administratën tatimore. Në këtë aspekt biznesi që po bën këto lloj marrëveshjes, nuk duhet të marrë të mirëqenë”, tha eksperti.


