“Paqja është e vetmja zgjidhje”, von der Leyen: Kushtet e Putin janë të papranueshme

schedule15:34 - 17 Qershor, 2024

schedule 15:34 - 17 Qershor, 2024

“Konferenca e paqes në Zvicër është cilësuar si rruga drejt paqes dhe me të drejtë. Sepse ne e dimë se paqja në Ukrainë nuk do të arrihet me një vizitë. Do të jetë një udhëtim.”

Kështu tha Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, në fund të samitit për paqen në Ukrainë të mbajtur në Zvicër.

Konferenca, sipas von der Leyen, nuk ishte një negociatë paqeje. Sepse Vladimir Putin nuk është serioz për t’i dhënë fund luftës. Ai këmbëngul që Ukraina të heqë dorë nga territori i saj, madje edhe atë që nuk është sot e pushtuar.

Ai këmbëngul për çarmatosjen e Ukrainës, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj agresionit në të ardhmen.

“Asnjë vend nuk do t’i pranonte kurrë këto kushte, prandaj është thelbësore që Ukraina të jetë në gjendje t’i rezistojë këtij agresioni dhe kjo është e drejtë e vendeve të tjera, si Bashkimi Europian partnerë të tjerë në mbarë botën, mbështesin Ukrainën në rezistencën e saj për mbijetesë”, theksoi von der Leyen. “Ne mund të bazohemi në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të shkurtit 2023, e cila shpreh qartë nevojën për paqe globale, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Kjo rezolutë u miratua nga 141 vende, shumica dërrmuese e të cilave i janë bashkuar këtij samiti.

I bëj thirrje Rusisë që t’i kushtojë vëmendje mesazhit të ndërkombëtarëve për të respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës për t’i dhënë fund dhunës imperialiste, për të rikthyer sa më parë paqen”, përfundoi ajo.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!