Papunësia dhe qiratë e larta po largojnë rininë, shumë të diplomuar lënë qytetet e mëdha në Kinë

schedule14:57 - 9 Gusht, 2023

schedule 14:57 - 9 Gusht, 2023

Një numër në rritje i të diplomuarve kinezë po largohen nga qytetet e mëdha të Kinës për t’u kthyer në vendlindjet e tyre për shkak të krizës në tregun e punës.

Sipas mediave shtetërore kineze, gati gjysma e të diplomuarve tani po largohen nga mega-qytetet e Kinës për shkak të papunësisë brenda semestrit të parë pas diplomimit.

Nën peshën e rritjes së çmimeve të banesave dhe ngadalësimit ekonomik, të diplomuarit e papunë po largohen nga qytetet që tradicionalisht kanë qenë trampolina për përparimin ekonomik dhe social në Kinë.

Për të kursyer para, disa madje detyrohen të ndajnë qiranë me një të huaj. Shkalla e papunësisë së të rinjve në Kinë u rrit në një rekord prej 21.3% në qershor, pasi ofertat e punës gjatë sezonit të kërkimit të punës dukej se po tkurren, ndërsa kufizimet goditën sektorët e pasurive të paluajtshme, teknologjisë dhe arsimit.

Në qershor, zyra e statistikave njoftoi se më shumë se 6 milionë të rinj janë të papunë. 47 për qind e të diplomuarve u kthyen në vendlindjen e tyre gjashtë muaj pas diplomimit në 2022, nga 43 për qind në 2018, sipas Shërbimit shtetëror të lajmeve China Neës.

Shifrat ndryshojnë nga rajoni në rajon: 59% e të diplomuarve në Kinën e zhvilluar lindore kthehen në shtëpi, krahasuar me 44% të të diplomuarve në Kinën perëndimore dhe vetëm 24% në zonën e de-industrializuar të Kinës verilindore.

Rritja e qirave po i shtyn gjithashtu të rinjtë të kthehen në shtëpi. Ndër qytetet “të nivelit të parë” të Kinës, rritja e qirasë në Pekin ishte 5 për qind nga dhjetori në qershor dhe 2.8 për qind në Guangzhou dhe Shenzhen, sipas agjencisë së lajmeve Xinhua.

Pasi dërgoi dhjetë CV çdo muaj firmave financiare, Joyce Zhang, e cila u diplomua për master në vitin 2022 në inxhinieri nuk ka gjetur ende një punë në Pekin, por ajo nuk do të kthehet ende në vendlindje.

Prindërit e saj paguajnë qiranë prej 2600 juanësh (361 dollarë) për një dhomë 12 metra katrorë me kuzhinë dhe banjë të përbashkët.Autoritetet zbatojnë masa për të mbështetur të rinjtë që kërkojnë punë dhe strehim, pak a shumë të frymëzuar.

Për shembull, në një zonë të Hangzhou në provincën Zhejiang të Kinës lindore, ofrohet strehim falas në shtëpinë e të moshuarve me kushtin që banorët të kalojnë 10 ose më shumë orë në muaj me të moshuarit dhe të paguajnë 300 juanë për shërbimet komunale.

Për të ulur koston e jetesës duke zgjatur qëndrimin në qytetet kineze me shpresën për të gjetur punë, disa të rinj ndajnë shtëpinë me të huajt.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!