Papa, Patriarkët dhe beteja për të shpëtuar Ukrainën

schedule09:13 - 14 Mars, 2022

schedule 09:13 - 14 Mars, 2022

Nga Paul Elie “The New Yorker

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Në shkurtin e vitit 2016, Papa Françesku që ishte duke shkuar për një vizitë zyrtare në Meksikë, kreu një ndalesë diplomatike në Havana të Kubës. Vizita zgjati pak orë, dhe u kufizua vetëm në aeroport. Në një nga ambientet e tij, ai u takua me Kirilin, Patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse.

Takimi i shumëpritur ishte i pari midis udhëheqësve të dy Kishave që nga Skizma e Madhe e vitit 1054. Kirili kishte refuzuar të takohej në Evropë, duke përmendur “plagët e hapura” në mesin e Kishës Ortodokse; ndërsa Françesku i kishte thënë “Takohemi ku të duash”. Kështu përfunduan në Havanë.

Në fund të takimit mes tyre, ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët, që pohonte qëllimet e përbashkëta, si mbrojtja e martesës tradicionale, dhe që dënonte “armiqësinë’ dhe zhvillimet e fundit siç ishte “konfrontimi” në Ukrainë, një referencë për luftimet në Krime dhe në Donbas, kur ushtria ruse lëvizi në këto rajone.

Ata patën mundësi të takoheshin prapë, gjatë një vizite që zhvilloi zyrtarisht Papa në Moskë. Në botën e diplomacisë fetare, ky takim u pa si një përparim domethënës. Ai tregoi se Françesku po afrohej shumë me udhëheqësit ortodoks rusë, siç kishte bërë me udhëheqësin tjerr ortodoks, Patriarkun e Konstandinopojës (Stambollit), Ekumenik Bartolomeu I.

Takimi në Havanë i bëri jehonë vizitës së Papa Gjon Palit II në Kubë në vitin 1998, takimi i të cilit atje me Fidel Castron, u pa si momenti kur ky komb dhe bota e lirë u angazhuan drejtpërdrejt me njëri-tjetrin për herë të parë që nga Revolucioni Kuban.

Po ashtu risolli në vëmendjen e të gjithëve Krizën e Raketave Kubane të vitit 1962, kur John F.Kennedy dhe Nikita Khrushchev u tërhoqën nga pragu i luftës bërthamore pas një ndërhyrjeje të Papa Gjonit XXIII, që u dërgoi të dy udhëheqësve një mesazh, ku u bënte thirrje për kujdes, dhe që më pas u transmetua edhe nga Radio Vatikani.

Por 6 vjet më vonë, janë zhdukur thirrjet shpresëdhënëse në deklaratën e përbashkët të Papës dhe Patriarkut rus. “Konfrontimi” në Ukrainë, është shndërruar në një pushtim rus të urdhëruar nga Vladimir Putin, duke përfshirë sulmet ajrore, trupa tokësore, bombardimet e spitaleve dhe shënjestrimin e civilëve.

“Plagët e hapura” në gjirin e Ortodoksisë – një ndarje brenda Kishës Ortodokse në Ukrainë – janë ndër pretekset e përmendura për pushtimin , edhe pse lufta ka çuar në një unitet të paprecedentë midis të krishterëve në Ukrainë.

Dhe tre udhëheqësit e krishterë kanë marrë pozicione dukshëm të ndryshme mbi pushtimin rus:Kirili e lavdëron, Bartolomeu e denoncon, ndërsa Françesku e dënon luftën në terma të përgjithshëm, por shmang emërtimin si agresore të Rusisë së Putinit.

Mbështetja e Kirilit për pushtimin nuk ishte ndonjë befasi. Kisha Ortodokse Ruse është një krah i shtetit, dhe Kirili është një nga këshilltarët e besuar të Putinit. Habia qëndronte tek mënyra se si e shprehu atë. Në fillim të këtij muaji, në një predikim në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, ai bëri pretendimin e çuditshëm dhe alarmues se pushtimi kishte të bënte me frenimin e përhapjes së “paradave të homoseksualëve” nga ana e Perëndimit, duke e vlerësuar atë si “një luftë që ka një rëndësi jo fizike, por shpirtërore”.

“Fjala është për diçka ndryshe, dhe shumë më të rëndësishme se sa politika. Po flasim për shpëtimin e njeriut”- tha ndër të tjera ai. Sipas Patriarkut rus, pushtimi nuk ka të bëjë me territorin, as me identitetin kombëtar, as me krenarinë e plagosur post-sovjetike, apo identitetin fetar në ndonjë kuptim të ngushtë.

Përkundrazi, është një luftë kulturash – një luftë e shenjtë – midis tradicionalizmit fetar dhe liberalizmit. Nga ana tjetër, nuk është çudi që Bartolomeu e kundërshton pushtimin. Dega e Kishës Ortodokse që ai e drejton nga Stambolli, ka pasur ndër shekuj përplasje Moskën mbi kishat ukrainase.

“Putin ka kryer një padrejtësi të madhe, duke shkuar në luftë kundër njerëzve që kanë të njëjtë fe më të, dhe duke fituar urrejtjen e gjithë botës. Shpresoj që të mos shpërthejë Lufta e Tretë Botërore”- deklaroi Bartolomeu për mediat turke.

Ndërkohë Françesku, ka pasur një qasje më aktive, por pa shumë peshë. Një ditë pasi Putin filloi pushtimin, Françesku zhvilloi një vizitë personale në Ambasadën Ruse në Selinë e Shenjtë. Ai e shpalli të Mërkurën e Hirit një “ditë lutjeje dhe agjërimi për popullin e Ukrainës”, dhe ka biseduar në telefon me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Po ashtu Papa dërgoi dy kardinalë në Ukrainë, për të konfirmuar “afërsinë” e tij me 2 milionë refugjatët që kanë ikur nga vendi, dhe me ukrainasit në përgjithësi. Të dielën e kaluar, gjatë fjalimit të mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa tha se Vatikani është “gati të bëjë gjithçka, për ta vënë veten në shërbim” të paqes.

Ai tha se “në Ukrainë po rrjedhin lumenj gjaku dhe loti, dhe se ky nuk është vetëm një operacion ushtarak, por një luftë, që mbjell vdekje, shkatërrim dhe mjerim”. Por ai nuk e përmendi me emër as Putinin, Rusinë, apo pushtimin.

Kjo është një qasje e çuditshme për një pasardhës të Gjon Palit II, tanimë një shenjtor, mbështetja e të cilit për Solidarnost-in në luftën kundër Partisë Komuniste Polake në vitet 1980, i dha atij autoritetin moral të një udhëheqësi, që  e përdori me guxim papatin për t’iu kundërvënë autoritarizmit.

Sot ashtu si dikur, roli i fesë në rajon është shumë kompleks. Ukraina e sotme është vendi ku në shekullin X, Princi Volodymyr (i njohur në Rusi si Shën Vladimiri i Madh) u konvertua në Krishterim, ndaj Ortodoksia i ka rrënjët atje. Kisha në Kostandinopojë u nda me atë të Romës në vitin 1054 – Skizma e Madhe – duke sjellë lindjen e Ortodoksisë, të udhëhequr nga një Patriark Ekumenik në Kostandinopojë dhe nga patriarkët lokalë.

Në vitin 1686, Patriarku i Kostandinopojës i dha Patriarkut të Moskës autoritet mbi kishat në Ukrainë. Në momente të ndryshme në shekujt që pasuan, si Patriarkët Rusë ashtu edhe ata Ekumenikë, synuan të ushtronin autoritet mbi kishat ortodokse në Ukrainë, që ishin gjithashtu shtëpia e katolikëve grekë dhe romakë, dhe e një komuniteti hebre shumë dinamik, sidomos në qytetin-port të Odesës.

Nën sundimin sovjetik kur feja ishte e shtypur, disidentët nga të gjitha këto tradita u takuan nëpër gulagë, dhe e bënë fenë një kauzë të përbashkët. Pas Glasnostit, ata u liruan dhe në vend lulëzuam komunitetet e tyre të ndryshme.

Në këtë shekull, ndërsa Kirili dhe Kisha Ortodokse Ruse u bënë një forcë në projektin e Putinit për identitetin kombëtar, disa nga kishat ukrainase të lidhura me ortodoksinë ruse u përpoqën të distancoheshin nga Moska, duke fituar njohjen nga Bartolomeu, Patriarku Ekumenik, si një Kishë Autoqefale.

Bartolomeu ua dha këtë status të ri në vitin 2019 , duke e zemëruar Kirilin. Putin, që është vetë një ortodoks rus, i ka parë të gjitha këto. Ukraina është sot një vend i udhëhequr nga një president hebre, ku kisha të ndryshme ortodokse, asnjëra e rrënjosur tërësisht në identitetin kombëtar, ekzistojnë krah për krah njëra-tjetrës, së bashku me katolikët, protestantët ungjillorët, hebrenjtë dhe myslimanët.

Me diversitetin e saj, Ukraina e sfidon historinë fetare të rajonit. Ajo sfidon edhe vizionin e Putinit për një ‘Mir Russky’, një Rusi më të madhe. Nga këndvështrimi katolik i njohur si “teoria e luftës së drejtë”, pushtimi i Rusisë është haptazi i padrejtë, dhe përgjigja e armatosur e Ukrainës është qartësisht e drejtë.

Po pse Papa nuk e ka denoncuar Rusinë si agresoren e padrejtë ndaj Ukrainës? Shpjegimi më i qartë është se Françesku po respekton politikën tradicionale të Vatikanit, atë të ”neutralitetit të përhershëm”, siç thuhet se bëri Papa Piu XII gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur nuk tha asgjë kritike për Gjermaninë naziste dhe Holokaustin.

Ose ndoshta Françesku po parashikon një fund relativisht të shpejtë të luftës. Përpara pushtimit, Zelensky foli për ndërmjetësimin e Papës për një proces të mundshëm paqeje. Prandaj Françesku mund të jetë duke e zbutur gjuhën e tij, në një përpjekje për të ruajtur të hapur një shteg diplomacie me Putinin, të cilin e ka takuar tre herë në Romë.

Treqind priftërinj ortodoksë rusë në Moskë, kanë bërë një deklaratë të përbashkët kundër luftës, duke vënë në rrezik të madh veten, ndërsa peshkopët katolikë të Evropës, i janë lutur Kirilit që t’i “bëjë një thirrje urgjente autoriteteve ruse” për ta ndaluar atë.

Françesku ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Kirilin dhe Putinin, dhe ai ka një autoritet moral të ngjashëm me atë të paraardhësit të tij, Papa Gjon Palit. Po çfarë dobie ka një autoritet i tillë, nëse nuk vihet në përdorim në mesin e një krizë të tillë? /abcnews.al

Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!