Papa ‘ndalon’ futbollin/ Shtyhen ndeshjet e Serisë A në program këtë të hënë

schedule16:47 - 21 Prill, 2025

schedule 16:47 - 21 Prill, 2025

Njihej si një tifoz i thekur. Papa Françesku nuk do të mbahet mend vetëm si kreu I Kishës Katolike për shumë vite, dhe me epitetin e “njeriut të të varfërve”, por edhe për pasionin e tij për futbollin dhe sportin në përgjithësi.

Nuk harrohen takimet e tij me ekipet kombëtare si të Argjentinës apo Italisë, me një legjendë si Lionel Mesi, e duke marrë dhurata prej tyre.

Pas shuarjes së Papës, në Itali nuk pritej tjetër përveçse që të mbahej zi, dhe që topi të mos rrotullohej të paktën për një ditë të vetme.

Ky është edhe vendimi I marrë nga Liga e Serisë A, dhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar italian.

Janë katër ndeshje të elitës së futbollit italian, që ishin në program këtë të hënë që nga mesdita deri në orën 20:45.

Flitet për Parma-Juventus, Torino-Udineze, Kaljari-Fiorentina dhe Xhenoa-Lacio.

Po ashtu, nuk do të luhen sfidat e sporteve të tjerë si basketboll, volejboll apo tenis, si edhe duelet e niveleve më të ulëta dhe të moshave në futboll./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!