Papa Françesku thirrje liderëve të Sri Lankës: Mos injoroni britmat e të varfërve

schedule02:00 - 11 Korrik, 2022

schedule 02:00 - 11 Korrik, 2022

Papa Françesku u bëri thirrje sot liderëve të Sri Lankës të mos injorojnë britmat e të varfërve dhe nevojat e njerëzve dhe apeloi për paqe në vendin aziatik.

Gjatë predikimit të së dielës nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, Papa shprehu solidaritetin me popullin e Sri Lankës, i cili, tha ai, vazhdon të vuajë nga paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike.

“Së bashku me peshkopët e vendit unë përsëris thirrjen time për paqe”, tha Papa.

Sri Lanka po vuan nga kriza më e keqe ekonomike në historinë e saj. Ajo është përballur me një mungesë të madhe valutore, e cila nuk e lejon të importojë sasi të mjaftueshme ushqimore, karburante, ilaçe dhe mallra të tjera të nevojshme.

Ishulli prej 22 milionë banorësh, pranë Indisë, prej muajsh jeton në ritmin e ndërprerjeve të përditshme të energjisë elektrike, radhëve të pafundme në pikat e karburanteve, racionimit të ushqimeve, inflacionit rekord që ka arritur në 70%.

Zemërimi për situatën ekonomike kulmoi të shtunën me një turmë njerëzish që sulmuan pallatin presidencial dhe detyruan presidentin e vendit Gotabaya Rajapaksa të shpallte dorëheqjen e tij.

Kryeministri Ranil Wickremesinghe ka thënë gjithashtu se do të japë dorëheqjen për të lejuar një qeveri të përkohshme gjithëpartiake të marrë përsipër qeverisjen e vendit. /abcnews.ak

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!