Papa Françesku kërkon veprim të menjëhershëm për të ndihmuar qytetarët e Gazës

schedule07:24 - 10 Qershor, 2024

schedule 07:24 - 10 Qershor, 2024

Papa Françesku ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë “urgjentisht” veprime duke përdorur “të gjitha mjetet” e mundshme për të ndihmuar popullin e Gazës të prekur nga lufta izraelite.

“Ndihma humanitare duhet të lejohet të arrijë tek ata në nevojë dhe askush nuk mund ta pengojë atë”, tha Papa gjatë bekimit të mesditës së dielës.

Ai theksoi se e shtuna shënoi 10-vjetorin e lutjes së paqes që ai organizoi në kopshtet e Vatikanit, ku morën pjesë edhe presidenti i atëhershëm izraelit, Shimon Peres.

“Ky takim tregoi se shtrëngimi i duarve është i mundur dhe se për të bërë paqe duhet guxim shumë më tepër se sa për të bërë luftë”, theksoi Papa.

Papa Françesku miratoi përpjekjet për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe shprehu dëshirën e tij që të dyja palët të pranojnë sa më parë një armëpushim, ndërsa pranoi se negociatat “nuk janë të lehta”.

Ai shprehu shpresë për pranimin e menjëhershëm të propozimeve të paqes dhe për lirimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gaza për “hir të palestinezëve dhe izraelitëve”.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Të paktën 36.800 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 83.600 të tjerë janë plagosur. Tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!