“Mea Culpa”, Papa Françesku u kërkon falje viktimave të abuzimeve

schedule17:14 - 22 Janar, 2018

schedule 17:14 - 22 Janar, 2018

Papa Françesku është penduar për deklaratat e bëra gjatë vizitës së tij në Kili, të cilat shkaktuan indinjatë tek viktimat e abuzimeve seksuale. Në mea culpa-n e tij, ati i shenjtë është shprehur se i ka lënduar viktimat pa dashje.

Papa Françesku ka kërkuar falje për deklaratat e bëra javën e kaluar në Kili, ku i doli në mbrojtje një peshkopi të akuzuar për fshehjen e rasteve të abuzimeve seksuale. Ati i shenjtë u shpreh i vetëdijshëm se fjalët e tij kanë lënduar shumë njerëz, por ritheksoi besimin e tij se peshkopi Juan Barros ishte i pafajshëm.

Komentet e tij Papa i ka bërë për mediat në avionin që po e kthente në Romë. “U kërkoj falje atyre që i kam lënduar pa e kuptuar, por ishte një plagë që shkaktova pa dashje”, ka thënë Papa, i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Javën e kaluar, Jorge Bergoglio deklaroi se viktimat e abuzimeve që kishin akuzuar peshkopin Barros kishin shpifur ndaj tij. Barros nuk është akuzuar për abuzime, por se ka qenë i pranishëm në momentet kur at’ Fernando Karadima ka ngacmuar disa djem të vegjël. Kur u pyet nga një gazetar kilien, kreu i Kishës Katolike u përgjigj: “Ditën që do të më sjellin provat në ngarkim të peshkopit Barros do të flas.

Për momentin ndaj tij nuk ka asnjë provë. Çdo gjë është shpifje”. Kjo solli reagimin e viktimave të at’ Karadima, të cilët në një konferencë për shtyp i cilësuan “fyese dhe të papranueshme” fjalët e atit të shenjtë se ata duhet të sillnin provat. Por këtë të hënë, Papa është shprehur i penduar për përdorimin e termit “provë”, duke pranuar se kishte qenë një shuplakë në fytyrë për viktimat. “Ka shumë njerëz të abuzuar që nuk mund të tregojnë prova. Ata nuk i kanë, ose i kanë dhe i mbajnë për vete, duke vuajtur në heshtje”, ka thënë Papa./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!