Papa Françesku shprehu sot shqetësimin për gjendjen e demokracive të botës në një ngjarje në qytetin verior italian të Triestes.
“Të jemi të sinqertë, në botën e sotme demokracia nuk është në gjendje të mirë shëndetësore”, tha kreu i Kishës Katolike, ndërsa theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në proceset demokratike, përfshirë votimin.
“Indiferenca është një kancer për demokracinë”, tha ai në fund të Javës Sociale të Katolikëve Italianë, një seri ngjarjesh njëjavore të fokusuara në çështjet sociale.
“Të gjithë duhet të ndihen pjesë e një projekti komunitar. Askush nuk duhet të ndihet i padobishëm”, tha papa Françesku përpara një turme prej rreth 1200 pjesëmarrësish.
Papa nuk dha detaje se për cilat shtete i referohej.
87-vjeçari, i cili është në gjendje të keqe shëndetësore, nuk ka qenë në një udhëtim të gjatë jashtë vendit për gati një vit.
Megjithatë, javët e fundit ai ka vizituar qytete të ndryshme veriore të Italisë, duke përfshirë Venedikun, Veronën dhe tani Triesten.
Përveç kësaj, Françesku – i cili është gjithashtu kreu i shtetit të Vatikanit – mori pjesë në samitin e Grupit të Shtatë (G7) të vendeve kryesore të industrializuara demokratike në Italinë jugore në mes të qershorit.