Papa Françesku bën thirrje për lirimin e pengjeve të marra në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit

schedule22:35 - 11 Tetor, 2023

schedule 22:35 - 11 Tetor, 2023

Papa Françesku bëri thirrje të mërkurën për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit në fundjavë dhe shprehu shqetësimin për rrethimin që Izraeli ka vendosur në Rripin e Gazës si përgjigje.

“Unë vazhdoj të ndjek me dhimbje dhe shqetësim atë që po ndodh në Izrael dhe Palestinë,” tha Papa.

“Kaq shumë njerëz të vrarë, të tjerë të plagosur. Unë lutem për ato familje të cilat një ditë feste (festa e Sukkot) kanë përjetuar të kthehet në ditë zie dhe kërkoj që pengjet të lirohen menjëherë”.

Françesku pranoi se Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes pas sulmeve të Hamasit, përfshirë masakrat e civilëve, ndërsa shtoi se është i shqetësuar për situatën në Gaza.

Izraeli ka goditur Gazën me sulme ajrore vdekjeprurëse gjatë ditëve të fundit dhe ka ndërprerë furnizimin me ushqim dhe karburant.

“Është e drejta e atyre që sulmohen të mbrohen, por unë jam shumë i shqetësuar për rrethimin total nën të cilin jetojnë palestinezët në Gaza, ku ka pasur edhe shumë viktima të pafajshme”, tha Papa.

“Terrorizmi dhe ekstremizmi nuk ndihmojnë për të arritur një zgjidhje të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve, por në vend të kësaj ushqejnë urrejtjen, dhunën, hakmarrjen dhe vetëm i bëjnë të dyja palët të vuajnë. Lindja e Mesme nuk ka nevojë për luftë, por për paqe: një paqe e ndërtuar mbi drejtësinë, dialogun dhe guximin e vëllazërisë”, tha Françesku./ANSA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!