Panuçi sulmon sërish kombëtaren

schedule20:26 - 6 Prill, 2019

schedule 20:26 - 6 Prill, 2019

Kristian Panuçi ka bërë kritika nga Italia për kombëtaren shqiptare. Ish-trajneri ka deklaruar në “La Gazeta dello Sport” se nuk gjeti ide të përbashkëta dhe profesionalizëm

Largimin e pati të hidhur, dhe besoi të pamerituar.

Kristian Panuçi nuk është më trajner i kombëtares shqiptare, dhe gjeti rastin për të bërë sërish kritika, i intervistuar nga “La Gazetta dello Sport”. Ish-tekniku deklaroi se e pati të vështirë të gjente ide të përbashkëta dhe profesionalizëm në ekip, gjë që, sipas tij, e pengoi të bënte punën e tij.

“M’u bë e vështirë të përcillja dhe praktikoja futbollin që kisha në kokë”, ishin fjalët e tij.

Panuçi përsëriti ato që tha më parë në konferencat për shtyp në Shqipëri, se shumë lojtarë të ekipit përfaqësues luanin pak, duke qenë gjithashtu një faktor negativ i rëndësishëm. Gjithsesi, në analizë të fundit, Panuçi deklaroi se nuk kishte asnjë peng nga aventura te kuqezinjtë, dhe shtoi se Shqipërisë do t’i thotë gjithnjë faleminderit për të gjitha.

Kjo ishte analiza e Panuçit, por vetëm pak ditë pas largimit të tij, trajneri kujdestar Ervin Bulku, dhe kapiteni Elseid Hysaj I kujtuan se rreth 70 për qind e lojtarëve të ekipit, ishin ata që u kualifikuan në Euro 2016 nën drejtimin e paraardhësit të tij, Giani De Biasi.

Përsa i përket disiplinës së theksuar fort nga Panuçi, vlen të kujtohen fjalët e kandidatit për stolin e Shqipërisë, Edi Reja, të thëna për mediat italiane, që theksoi se “dënimi i Strakoshës m’u duk i ekzagjeruar, sepse një mungesë mund të ndodhë”. Duket se kombëtarja ka nevojë pikërisht për një trajner që e njeh mentalitetin e shqiptarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!