Panuçi: Mësova shumë nga humbja me Norvegjinë

schedule15:15 - 27 Mars, 2018

schedule 15:15 - 27 Mars, 2018

Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, u duk tepër i qetë një ditë pas humbjes në miqësoren ndaj Norvegjisë. Italiani hodhi poshtë kritikat dhe theksoi se po punon për të ardhmen.

Kristian Panuçi nuk e ka harruar aksiomën e futbollit.
Mësohet më shumë nga humbja sesa nga fitorja dhe kështu ndodhi edhe me të pas disfatës me Norvegjinë.
Të paktën, këto janë fjalët e trajnerit të kombëtares, që u duk më e dobët se kurrë në përballjen miqësore me nordikët në “Elbasan Arena”, dhe jo vetëm për humbjen 0-1.

Kristian Panuçi: “Më mësoi më shumë kjo humbje sesa fitorja në Turqi, sepse kuptuam shumë gjëra, si unë, ashtu edhe ndihmësit e mi. Mua nuk pëlqen kurrë që të humbas dhe shpresoj që edhe disa prej lojtarëve që luajtën dje të mos u pëlqejë të humbasin, të mos u duket sikur gjithçka vazhdon njëlloj. Unë, pas kësaj humbjeje, fjeta pak”.

Shqetësimi më i madh për trajnerin italian duket pikërisht ky, reagimi ndaj humbjes.

Kristian Panuçi: “Ramadani u tregua në lartësinë e duhur. Bare luajti shumë mirë dhe më pëlqeu shumë kur u nervozua me një lojtar norvegjez. Të paktën njëri nxehet, sepse këtu duket sikur nuk ka ndonjë problem kur pësojmë gol, ndërsa të paktën Bare bëhet me nerva kur pësojmë gol, sepse kjo është puna jonë”.

Panuçi vlerësoi edhe Bujar Likën e Grasshopersit si një lojtar që mund të jetë pjesë e kombëtares, pasi i pëlqeu në mënyrën sesi u stërvit.
Kritikat, sidoqoftë, ishin të mëdha sidomos për qarkullimin e topit, por Panuçi thotë se statistikat flasin ndryshe.

Kristian Panuçi: “Do të vazhdojmë patjetër duke luajtur futboll. Nëse shikon tabelën e statistikave, edhe në ndeshjen e fundit ishim superiorë në zotërimin e topit, ndonëse duhet të pranoj se kjo gjë vlen pak. Norvegjia u tregua më praktike në daljen në sulm dhe ishte më skuadër. Siç ju thashë para ndeshjes, kam disa ide që dua t’i provoj. Natyrisht, nuk kthehem prapa, por idetë e mia do t’i provoj në Zvicër, sepse kam përshtypjen se me kaq pak kohë në dispozicion duhet të bëj diçka ndryshe”.

Mos vallë në kombëtare ka përçarje?

Kristian Panuçi: “Nuk mendoj kështu. Lojtarët punojnë mirë, me seriozitet. Edhe këto ditë m’u duk se kemi një grup shumë të mirë, që gjithashtu i priti mirë lojtarët e rinj. Nuk kemi asnjë problem, por është e qartë se ata që nuk luajnë bëjnë me faj trajnerin, por gjithnjë ka qenë kështu”.

Tashmë, Norvegjia u la prapa, ndërsa kombëtarja do të ketë provat e radhës në fund të majit e në fillim të Qershorit.
Ekipi do të grumbullohet në Zvicër, ku pritet të luajë në 29 Maj një përgatitore ndaj një kundërshtari që ende nuk është përcaktuar.
Në 2 Qershor, ndeshemi me Ukrainën, ashtu siç bëmë përpara Europianit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!