Panuçi i dorëzuar pas humbjes në Skoci

schedule18:20 - 11 Shtator, 2018

schedule 18:20 - 11 Shtator, 2018

Humbja në Skoci ka krijuar dyshime për të ardhmen e trajnerit Panuçi në stolin e kombëtares. Vetë italiani duket i dorëzuar, ndërsa presidenti Duka po bën llogaritë e tij.

Vështirë të jetë ndjerë më keq ndonjëherë në karrierë. Kristian Panuçi u duk njeri i dorëzuar në stadiumin “Hampden Park” të Gllazgout, më keq edhe se skuadra e tij në fushën e lojës. Trajneri i kombëtares nuk arriti ta ngrinte moralin, as në intervistën pas ndeshjes, dhënë për “Supersportin”, menjëherë pas sfidës ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve. Në analizën e ndeshjes, italiani sikur e harroi plotësisht pjesën e parë.

Kristian Panuçi, trajner i Kombëtares: “Nëse ajo mendon kështu, atëherë respektoj mendimin e saj. Por, ne bëmë përgatitjen tonë, patëm edhe raste, pësuam gol që në minutën e parë të pjesës së dytë, një gol i dhuruar, po ashtu siç dhuruam të dytin. Ne patëm raste, por ne nuk shënuam gol, ndërsa ata po”.

Panuçi e justifikoi zgjedhjen e Lilajt në vend të Bashës, që besohet se ka më shumë përvojë, por përsa i përket lojës në mbrojtje, fjalët e tij ishin si një kapitullim.

“Edhe lojtarët e tjerë kanë përvojë. Skocia pati ritëm më të lartë sesa ne dhe kjo u duk qartë. Ne kemi disa limite në mbrojtje, të tjerët nuk na lejojnë që të shënojmë, ndërsa ne i lejojmë shumë lehtë që të hyjnë në zonën tonë”.

Cili pritet të jetë fati i trajnerit, që sapo ka mbushur një vit në detyrë?
Burime në Federatë pohojnë se presidenti Duka nuk e mendon aspak një shkarkim të shpejtë, edhe pse është padyshim i pakënaqur me Panuçin. Besohet se Duka do të presë të paktën deri në fund të ndeshjeve në grupe, në nëntor, për të vepruar edhe pse ka shprehur shqetësime dhe paralajmërime në të kaluarën. Kritikat e analistëve kanë qenë të ashpra, por problemi më i madh në kombëtare duket mungesa e qetësisë dhe atmosfera disi e shtypur.

Burime në ekip, që nuk duan të dalin me emër, pohojnë se Panuçi ka krijuar një klimë prej kazerme ushtarake, diçka që nuk u pëlqen lojtarëve. Po ashtu, ndryshimet e shpeshta duket se tregojnë se trajneri është i paqartë në idetë e tij. Gjithsesi, goditje e rëndë ka qenë edhe mungesa e lojtarëve të dëmtuar si Sadiku, Grezda, Abrashi, apo edhe dalja jashtë forme e Mavrajt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!