Mesditën e kësaj të marte, “bardheblutë” e Tiranës do të presin në mitikun “Selman Stërmasi”, “kurbinasit” e Laçit, në përballjen e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë Superiore, në një përballje që pritet të jetë jo pak e luftuar.
Mirëpo, përveç sfidës, tekniku Orges Shehi dhe “bardheblutë” e tij, duhet të mendojnë dhe për 3 sfidat e radhës, atë ndaj Vllaznisë, Egnatias dhe më pas derbi ndaj Partizanit, ku padyshim këkohen vetëm rezultate pozitive.
Shqetësimi i vetëm i kampit “bardheblu” është numri i lartë i kartonave, që disa titullarë kanë arritur të marrin deri më tani në këtë pikë të sezonit, ku më në rrezik është “lideri” i mbrojtjes, Erjon Hoxhallari, i cili deri më tnai ka “siguruar” tre kartonë të verdhë dhe nëse ndëshkohet edhe me një karton tjetër humbet sfidën e radhës në kampionat.
Ndërkaq, nga dy kartonë të verdhë janë Doka, Najdovski dhe Mici, teksa kujtojmë se, tekniku Orges Shehi ka aktivizuar titullar në çdo takim ish-kapitenin “bardheblu”, i cili u ribashkua me Tiranën në verë, së bashku me 7 titullarë të tjerë, duke forcuar ekipin, për sezonin e ri të Superiores. /i.m /abcnews.al