Pandemia zhvendos tregtinë me jashtë nga “sundimi” i Italisë, Gjermania trendi i ri

schedule07:18 - 24 Korrik, 2020

schedule 07:18 - 24 Korrik, 2020

Marrëdhëniet tregtare me jashtë dominohen nga Italia, por pandemia Covid -19 që goditi më së shumti ekonominë italiane, por i orienton importuesit dhe sidomos eksportuesit në vende të tjera që gjenerojnë kërkesë dhe fitime të qëndrueshme.

Sipas të dhënave mbi tregtinë e jashtme nga INSTAT, që i takojnë gjashtëmujorit të parë të vitit shihet se pesha eksporteve në Itali në vlerë në raport me totalin ka pësuar rënie. Sipas të dhënave zyrtare eksportet drejt Italisë në vlerë përbënin 45.6% të totalit, me rënie 4 pikë përqindje në raport me një vit më parë, në të njëjtën periudhë.

Më rënie ishin edhe importet e mallrave nga Italia. Në gjashtëmujorin e parë 2020 pesha e importeve në vlerë ishte 24,3 për qind e totalit me rënie 2 pikë përqindje në raport me një vit më parë.

Nga të dhënat shihet se, një pjesë e tregtisë me Italinë është zëvendësuar me Gjermaninë. Të dhënat tregojnë se eksportet në vlerë drejt Gjermanisë në 6-mujorin e parë përbëjnë 6.6 për qind të totalit me një rritje rreth 2 pikë përqindje në raport me vitin e kaluar. Në vlerën e eksporteve ndaj Gjermanisë ndikoi eksporti i këpucëve dhe veshjeve mjekësore nga kompania Efa Solution. Gjatë periudhës së pandemisë, kompania adoptoi një pjesë të prodhimit për veshje mjekësore. Eva Laro që administron fabrikën tha se, se ka shpërndarë një pjesë të kërkesës për veshje mjekësore për tregun gjerman edhe në disa fabrika të tjera. Kërkesa për veshjet mjekësore duket se është shkaktari i rritjes së eksporteve për Gjermaninë.

Tregtia me Gjermaninë ka shënuar rritje edhe në importe, vlera e të cilave arriti në 7.8% të totalit në gjashtëmujorin e parë duke pësuar rritje me 1 pikë përqindje në raport me një vit më parë.

Në raport me vitin e kaluar importet në vlerë shënuan ulje me vendet që u goditën më së shumti nga pandemia, Kina dhe Italia dhe u rriten me vende të tilla si Gjermania, Turqia dhe Greqia dhe Rusia. Vlera e importeve me Rusinë në raport me totalin u rrit me 1,2 pikë përqindje në raport me 2019 si pasojë e importit voluminoz të drithërave.

Në gjashtëmujorin e parw vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (14,0 %), Turqia (12,2 %) dhe Mbretëria e Bashkuar (14,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-24,6 %), Kosova (-28,1 %) dhe Spanja (-11,5 %)./Monitor