Pandemia, Sejko paralajmëron shtyrjen me tre muaj të kësteve të kredive

schedule16:55 - 6 Maj, 2020

schedule 16:55 - 6 Maj, 2020

Krahas rreziqeve që i kanosen ekonomisë për shkak të Pandemisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko paralajmëroi një shtyrje të pagesës së kësteve të kredive për disa sektorë që janë prekur më tepër.

Gjatë konferencës së tij pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Sejko u shpreh se janë duke marrë në konsideratë një shtyrje me tre muaj të pagesës së kësteve të kredive.

“Po shikojmë situatën financiare të bankave dhe bizneseve, jemi duke parë shifrat, ndikimi që ka në sektor shtyrja e kësteve dhe mundësia e një reagimi nga Banka e Shqipërisë.

Po marrim në konsideratë një reagim të dytë për të lehtësuar bankat në raport me ristrukturimin e kredive, mund t’u lehtësojmë, një ristrukturim më afatgjatë, por bazuar te cikli i bizneseve.

P.sh turizmi një sektor më i goditur mund të ketë nevojë për një ristrukturim apo i fasonëve.

Garancia sovrane për biznesin akoma nuk është përfunduar, normalisht do të shikojmë efektin kur të prezantohet, për momentin bankat po operojnë me garancinë e parë sovrane për pagat e punonjësve.

Kemi rreth 70 raste të aprovuara, 8.5 milion euro, por ka edhe 300 aplikime të tjera në proces.

Është një garanci po elaborohet në sistemin bankar. E dyta do të shikohet kur të bëhet e vlefshme, edhe ne më pas do të kemi një ide më të qartë.

Ne e kemi theksuar, efektet do të jenë të forta në ekonomie, si në të gjithë botën. Parashikimet janë për recesion. Ne jemi të qartë për këtë pjesë. Ne duhet të kemi parasysh që është goditje kalimtare dhe të marrim masat tona, që të na gjejë sa më të përgatitur për t’u ringritur sa më shumë. Duhet të ruajmë zinxhirin e prodhimit, me sa më pak falimente”, tha Sejko. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!