OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) ka lëshuar alarmin në lidhje me pandeminë e koronavirusit. Lojërat Olimpike të Tokios janë në prag (23 korrik – 8 gusht), teksa varianti Delta ka krijuar panik dhe shqetësim në mbarë globin.
Një valë e re infektimesh është përhapur në shtete të ndryshme, teksa edhe në botën e sportit janë rikthyer rastet pozitive me COVID. Tedros Adhanom lëshoi kushtrimin në një takim të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
“Më shumë se 4 milion njerëz kanë humbur jetën deri tani, dhe shumë të tjerë do të vdesin. Këtë vit është dyfishuar numri i personave të vdekur krahasuar me vitin e kaluar.
Dhe kur të shuhet flaka Olimpike në 8 Gusht, më shumë se 100,000 njerëz të tjerë do të kenë vdekur“, u shpreh doktor Tedros, kreu i OBSH-së, i cili shprehu mbështetjen e tij për Lojërat Olimpike që të zhvillohen në Tokio si “një festë e shpresës”. /abcnews.al