Pandemia ndryshon ritet e Ramazanit, xhamitë të hapura, por me rregulla të reja

schedule17:34 - 13 Prill, 2021

schedule 17:34 - 13 Prill, 2021

Nga Ajgena Korbi

Një tjetër Ramazan të pazakontë kanë nisur besimtarët mysliman të martën. Pandemia e koronavirusit i ka privuar ata nga  zakone të kahershme.

Gjithsesi këtë vit muaji i rëndësishëm në kalendarin islamik për Edlira Durmishaj vjen më ndryshe nga vjet  kur i gjithë vendi ishte në izolim.

“Vitin që kali jam e bindur se të gjithë e kanë përjetuar faktin se sikur na u mohua pjesa e takimeve bashkimeve. Pra në një koncept se nuk e kemi ditur se çfarë mirësie kemi pasur më para. Sot është një mall e nostalgji që nuk përshkruhet”, tha ajo.

Ndonëse me maska e në distancë besimtarët janë kthyer në xhami,  por në shumë familje myslimane vijojnë të mungojnë darkat pas perëndimit të diellit. Vaktet tradicionale po mbledhin në tryezë kryesisht personat më të afërt.

“Një besimtar i mirë që e përkufizon jetën e tij sipas rregullave hyjnorë përpiqet të jetë i vetëpërmbajtur jo për shkak të virusit, por për shkak të prezencës së Zotit në jetën e tij të përditshme. Iftarët në familje janë të reduktuara, në familjen e time e kemi kaluar Covid dhe kjo nuk është shaka”, shprehet ajo.

Xhamitë  ndryshe nga shumë shtete të tjera në Shqipëri  janë të hapura,  kanë reduktuar numrin e vizitorëve me qëllim frenimin e infeksionit megjithëkëtë për shumë besimtarë faljet në shtëpi po shihen si opsioni më i sigurt.

“Dëshira për të shkuar në Xhami është e madhe, jo vetëm e jona por edhe e fëmijëve. Prioritet është siguria e jetës , dashuria për atmosferën e Ramazanit është e padiskutueshme, por edhe në aspektin fetar i jepet prioritet sigurisë dhe jetës së personit”, theksoi Durmishaj.

Për besimtarët mysliman Ramazani është muaji kur Zoti ia zbuloi ajetet e Kuranit Profetit Muhamed.

Për 30 ditë ata privohen me vetëdije nga e ngrëna dhe e pira prej agimit deri në perëndim të diellit si detyrim ndaj Zotit  e pastrim nga mëkatet e bëra gjatë gjithë vitit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!