Edhe këtë Kurban Bajram, besimtarët mysliman falën namazin jo në sheshet qendrore, por në xhamitë e qyteteve. Festa si nisi në orën 6:30 të mëngjesit.
Në fushë Krujë besimtarët u falën në ambientet e jashtme të xhamisë.
Hoxha Muharrem Vrana iu lut Zotit, që ta mbrojë vendin tonë nga koronavirusi.
“Zoti e mëshiroftë vendin tonë e largoftë sa më shpejt virusin”, u shpreh ai.
Besimtarët uruan për më shumë begati dhe mirësi.
“Gjithë begatitë paçin njerëzit kudo që janë në botë”, u shpreh ajo.
Në ambientet e Xhamisë Iljaz Bej Mirahori në Korçë besimtarë u mblodhën së bashku për të kryer faljen e Namazit.
Në Kukës besimtarët thuajse sfiduan rrezikun e infeksionit të virusit, duke u lutur.
Në Berat falja Kurban Bajramit u bë në dy xhamitë ajo e Plumbit si dhe e Sahatit. Mes urimesh dhe gëzime, besimtarët kishin vendosur dhe maska duke respektuar rregullat që janë kërkuar për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Kurban Bajrami shënon një prej festave më të rëndësishme të kalendarit te besimit islam. Pas faljes, besimtarët myslimanë u janë drejtuar vendeve të caktuara për therjen e Kurbanit.
Tradita profetike kërkon ndarjen e mishit në disa pjesë, të cilat përdoren për familjen si dhe për të afërmit, komshinjtë dhe më së shumti, për të varfrit.