Një ekspert i shëndetit mendor në Hong Kong paralajmëron se vendet mund të jenë në prag të një rritje të vetëvrasjeve, për shkak të pandemisë së Covid-19.
Paul Yip Siu-fai, drejtor i Qendrës së Kërkimit dhe Parandalimit të Vetëvrasjeve të Universitetit të Hong Kongut, është pjesë e një grupi ndërkombëtar të ekspertëve të shëndetit mendor që kanë dhënë alarmin mbi ndikimin e mundshëm psikologjik të pandemisë në të gjithë botën.
Në një artikull të botuar në revistën mjekësore Lancet Psychiatry, grupi i përbërë nga 42 akademikë nga e gjithë bota, vuri në dukje se humbja e vendeve të punës dhe stresi financiar ishin ndër faktorët më të njohur të rrezikut për vetëvrasje.
Ata nxitën qeveritë të siguronin paketa financiare për ata që kishin nevojë për mbështetje, përfshirë ushqimin, strehimin dhe ndihmën e papunësisë. Ekspertët thanë se pezullimi i shërbimeve publike, përfshirë shërbimet e shëndetit mendor, mund të përkeqësojë gjërat edhe më shumë.
Yip gjithashtu paralajmëroi t’i kushtohet vëmendje mirëqenies mendore të komunitetit gjatë pandemisë, pasi masat e distancimit nga shoqëria dhe kufizimet e tjera mund të shkaktojnë vetmi, frikë dhe panik, veçanërisht në mesin e të prekurve dhe të moshuarve.
Ndër më të rrezikuarit janë punonjësit që kanë humbur punët e tyre, ata që përballen me vështirësi të mëdha financiare dhe njerëzit e moshuar që ndjehen të vetmuar për shkak të kufizimeve të lëvizjeve gjatë krizës.
Ndikimi psikologjik i Covid-19 mund të mos jetë akoma i dukshëm, tha Yip, sepse efektet ekonomike dhe sociale si rritja e papunësisë, ende nuk janë shfaqur plotësisht./abcnews.al