Nga fillimi i Ramazanit, vetëm myslimanët e imunizuar ndaj Covid-19 do të lejohen të kryejnë pelegrinazhin e umrah-s. Lajmin e bënë të ditur autoritetet saudite. Ndryshe nga haxhi, pelegrinazhi më i shkurtër i umrah-s nuk është i detyrueshëm dhe mund të kryhet në çdo kohë të vitit.
Ministria e haxhit dhe umrah-s njoftoi se tre kategori personash do të konsiderohen si të imunizuar: ata që kanë marrë dy doza të vaksinës; ata që kanë marrë një dozë vaksine në para 14 ditësh dhe ata që e kanë kaluar virusin.
Vetëm kategoritë e përmendur më sipër do të kenë lejë për t’u futur dhe për të marrë pjesë në lutjet në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës. Të njëjtat kushte zbatohen po ashtu edhe në xhaminë e Profetit në qytetin e shenjtë të Medinës.
Ministria tha se rregullat e reja hyjnë në fuqi në fillim të Ramazanit por është e paqartë se sa do të zgjasin. Që nga fillimi i pandemisë, Arabia Saudite ka raportuar më shumë se 393,000 raste me koronavirus dhe 6,700 viktima. sb/abcnews.al/