Check Up si një mundësi për një diagnostikim të hershëm të sëmundjeve, është anashkaluar gjatë pandemisë të paktën për dy vite. Duke folur për rëndësinë e procesit të Check Up te diagnostikimi në kohë i sëmundjeve, mjekja e Spitalit Amerikan 2 Sonila Bitri Tivari u shpreh në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri që ‘është parë dhe rezulton nga vizitat e përditshme që njerëzit nuk kanë bërë Check up gjatë këtyre dy viteve të fundit, për shkak të frikës që vinte nga spitalet dhe pandemia e Kovid-19’.
Në eksperiencën e saj 12 vjeçare në këtë fushë, mjekja Sonila Bitri Tivari vuri në dukje që ‘ndërgjegjësimi i individëve është më i madh, të paktën ata që paraqiten në spitalin amerikan, dhe e kanë krijuar kulturën shëndetësore falë dhe fushatave ndërgjegjësuese apo nga media’.
Nga ajo që është vënë re historikisht për kulturën e Check Up në Shqipëri, sipas mjekes është vërejtur që ‘në fillim kanë sjellë prindërit për hir të riskut të moshave, më pas veten dhe tani po sjellin dhe fëmijët, 18 e sipër, e shoh që ndërgjegjësimi është shtuar’.
Sipas Sonila Bitri Tivari, ka një ndasi gjinore në kryerjen e Check Up-eve dhe gratë janë më të prirura për të kryer kontrolle shëndetësore, dhe janë ato që sjellin dhe partnerët duke qenë se kërkojnë më shumë informacione për disa sëmundje. Edhe për shkak të sëmundjes si kanceri i gjirit ose i qafës së mitrës që prekin femrat dhe që kanë dhe fushatat e ndërgjegjësimit në atë që njihet si ‘tetori rozë’.
Paketa e Check Up duhet të përcaktohet nga një vizitë paraprake me mjekun, në bazë dhe të historisë familjare, dhe të limitohen në disa ekzaminime, nëse kemi sëmundje të trashëguesve, hipertension ,diabet, mjekët mund të shtojnë ekzaminime ekstra. Nuk është check up njëlloj me një moshë të re me ato në moshë më të thyer, dhe risku në moshat mbi 45 vjeç është më i madh si dhe nëse kanë edhe faktorë tjetër risku të tillë si konsumimi i duhanit, i alkoolit, qëndrimi në ambiente me tymra apo me ajër të ndotur. /abcnews.al/