Pandemia goditi rëndë vendin, popullsia u tkurr gjatë 2021: Qarqet më të goditura

schedule14:49 - 11 Shkurt, 2022

schedule 14:49 - 11 Shkurt, 2022

Të dhënat statistikore tregojnë se pandemia goditi rëndë Shqipërinë duke bërë që popullsia të tkurret me ritme edhe më të larta gjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2021 lindën 6.939 fëmijë dhe vdiqën 7.837 persona duke shënuar kështu një tkurrje të popullsisë me rreth 900 persona vetëm në tre muaj.

Në vitin 2021 u shënuan gjithsej 3 296 vdekje më shumë se sa lindje.

Vetë INSTAT pranon se shtesa natyrore negative për vitin 2021 është ndikuar edhe nga situata e pandemisë Covid-19.

Qarqet më të goditura duke pësuar tkurrje të popullsisë gjatë tremujorit të fundit 2021 janë Korça, Fieri, Elbasani dhe Gjirokastra, ndërsa qarqet me rritje të numrit të popullsisë janë Tirana, Durrësi, Kukësi dhe Dibra.

Lindjet

Në tremujorin e katërt 2021, katër qarqe të vendit shënojnë rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2020, ndërsa tetë qarqet e tjera shënojnë ulje në krahasim me të njëjtën periudhë.

Në tremujorin e katërt 2021, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.514 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 113 lindje.

Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë tremujorit të katërt 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë qarku i Beratit me 13,7 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Dibrës me 15,7 %.

Gjatë vitit 2021, pesë qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2020, ndërsa shtatë qarqet e tjera pësuan rënie. Gjatë vitit 2021, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 9.473 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 451 lindje.

Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020 e zë qarku i Kukësit me 3,9 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Elbasanit me 11,3 %.

Vdekjet

Në tremujorin e katërt 2021, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2020, ndërsa vetëm një qark shënon rritje në krahasim me të njëjtën periudhë. Në tremujorin e katërt 2021, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 166 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 2.054 vdekje.

Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të katërt 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë qarku i Lezhës me rënie prej 24,6 %, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Vlorës me 3,0 %.

Gjatë vitit 2021, vetëm një qark i vendit shënoi ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2020, ndërsa njëmbëdhjetë qarqe të tjerë shënuan rritje në krahasim me të njëjtën periudhë. Gjatë vitit 2021, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 612 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 7.831 vdekje.

Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020 e zë qarku i Kukësit me rënie prej 2,4 %, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Vlorës me 33,2 %. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!