Mbyllja e ekonomisë nga pandemia COVID-19 do të ulë të ardhurat për familjet shqiptare. Sipas vlerësimit të ministrisë së financave në programin afatmesëm parashikohet që gjatë 2020 një qytetar do të marrë më pak para sa ka fituar në 2019.
Të ardhurat vlerësohen të ulen me 267 euro në vit ose rreth 33 mijë lekë.
Sipas të dhënave në 2019 një shqiptar fitonte mesatarisht 4 766 euro ndërsa në 2020 do të marrë 4.498 euro në vit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konstatuar se Shqipëria rezulton të jetë vendi me nivelin më të ulët të ardhurave për frymë në rajon dhe BE dhe gjatë këtij viti ky nivel do të përkeqësohet edhe më shumë.
Sipas vlerësimeve të ministrisë së financave ulja e të ardhurave për frymë vlerësohet të jetë rreth 5.7% dhe në total më shumë se 770 milion euro.
Po ashtu ministria e financave në programin afatmesëm parashikon që gjatë këtij viti pandemia do të rrisë me rreth 2 % nivelin e papunësisë.
Kjo e lidhur direkt me shkurtimet e punonjësve të bëra nga bizneset në kohë pandemie por edhe nga mbyllja e një sërë subjektesh.
Gjatë këtij viti parashikohet një recension i fortë ekonomik i cili deri më tani rezulton të arrijë -4.3%. Por ajo që konstatohet është edhe fakti se edhe në vitet e ardhshme rritja ekonomike pritet të jetë më e zbehtë nga vlerësimet paraprake kështu në 2021 rritja parashikohet që ekonomia të rritet me 5.9% nga 8 % që ishte vlerësimi paraprak dhe në vitet 2020 dhe 2023 parashikohet rreth 4%.
Po ashtu në programin afatmesëm ministria e financave parashikon marrjen e masave për uljen e borxhit publik dhe të deficitit .Ndërkohë që investimet pritet të mbeten në nivele të ulëta./abcnews.al/