Pandemia dhe përplasjet Meta-Dvorani mbajnë Kushtetuesen të bllokuar, 22 kandidatë në pritje

schedule18:37 - 13 Maj, 2020

schedule 18:37 - 13 Maj, 2020

Gjykata Kushtetuese parashikohet të mbajë dyert e mbyllura për qytetarët për një kohë të pacaktuar.

Kjo si pasojë e përplasjeve të muajve të fundit mes Presidentit Ilir Meta dhe kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit, institucion i cili është kyç në vlerësimin e kandidatëve që shkojnë për në Gjykatën Kushtetuese.

Fati i Ardian Dvoranit, për qëndrimin si anëtar në Gjykatën e Lartë dhe si pasojë dhe si drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, do të vendoset nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në një datë ende të pacaktuar. Por ndërsa pritet ky vendim, Gjykata Kushtetuese do të vijojë të qëndrojë me vetëm 4 anëtarë, kuorum i pamjaftueshëm për të marrë vendim.

Në institucionin e KED, që prej muajit gusht të vitit të shkuar e në vijim, janë çuar tre lista me emrat, për 3 vende vakante të shpallura, që presin vlerësimin e KED dhe pikëzimin, për të vijuar më pas procesin.

Një listë me 6 emra është nga Kuvendi, një tjetër po me 6 nga Presidenti për vendin e lënë vakant nga gjyqtari Besnik Imeraj dhe një listë e tretë me 10 emra.

Lista e fundit  çuar nga Presidenti është e dhjetorit me emrat  e kandidatëve për të zëvendësuar Besnik Muçit, që iu ndërpre mandati pasi e mori nga “Vetting”.

Pavarësisht kalimit të muajve, këto lista nuk e kanë përfunduar procesin e vlerësimit dhe pikëzimit nga KED.

Burime zyrtare nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi thanë për “ABC News” se, pandemia e COVID-19 e ka vonuar procesin. Po ashtu ka pasur probleme teknike dhe letra që Presidenti Meta i dërgoi KLGj-së janë bërë arsye që KED të mos i shqyrtojë të dhënat për kandidatët.

Ndërsa 3 gjyqtarët e Kushtetueses që zgjidhen nga Gjykata e Lartë ende nuk ka dritë jeshile për të shpallur vakancat pasi kjo gjykatë duhet të plotësojë kuorumin e nevojshëm prej 13 anëtarësh për të marrë vendime.

Por ndërsa përplasjet mes organeve vazhdojë, në Gjykatën Kushtetuese janë në pritje për gjykim zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit të shkuar, e po ashtu ligji i posaçëm për Teatrin Kombëtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!