Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës Edmond Panariti ka vizituar në Sanatorium kompozitorin e njohur Limoz Dizdari i cili ndodhet i shtruar prej 10 ditësh në gjendje të rëndë për jetën. Testi PCR për kompozitorin ka dalë negativ, mirëpo thuhet nga mjekët se ka kaluar një pneumoni. Megjithatë sipas tij, mjekët ndodhen aty për t’i dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme.
“Sot në emër të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dhe në emrin tim personal vizitova kompozitorin e shquar, Limos Dizdari, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e sëmundjeve pulmonare “Shefqet Ndroqi” në një trajtim intensiv. Për fat të keq është dashur shtrimi në spital i artistit të mirënjohur, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të stabilizuar por ende në fazë kritike. Pata rastin për ta parë nga afër gjendjen e tij shëndetësuar, si dhe për t’u interesuar pranë personelit mjekësor, drejtoreshës së spitalit, Prof.Silva Bala dhe shefes së reanimacionit, Alma Cani, që më informuan në mënyrë të hollësishme për të gjithë protokollin që po ndiqet për të mbajtur nën kontroll, për ta nxjerrë nga gjendja kritike dhe për ta shëruar plotësisht kompozitorin Dizdari.
U informova se ai vuan nga një gjendje pneumonie difuze, që vazhdon të jetë kërcënuese për shëndetin e tij. Mora garancinë dhe sigurinë që i gjithë protokolli i trajtimeve të mundshme po zbatohet me rigorozitet dhe dëshiroj të shpreh falenderimin tim ndaj drejtores së institucionit, Prof.Silva Bala, shefes së reanimacionit, Alma Cani, për të gjithë përkushtimin dhe vëmendjen e treguar ndaj kompozitorit tonë të madh, Limos Dizdari. Sot takova edhe bashkëshorten e z.Dizdari, që më konfirmoi për trajtimin e duhur mjekësor, që po bëhet sipas të gjitha standardeve të kërkuara. Profesori Limos Dizdari është një ikonë e muzikës shqiptare, një Ennio Morricone i dytë, sepse krijimtaria e tij e pasur artistike ka mbetur në memorien tonë, ka fituar respektin e të gjithë artdashësve dhe duhet përçuar edhe tek brezi i ri, që e ka të nevojshme për t’u edukuar me këto vlera të jashtëzakonshme. I uroj sa më parë kompozitorit të mirënjohur z.Dizdari shërim të shpejt sepse ende ka shumë për të dhënë në fushën e artit dhe të muzikës”, tha ai.
Panariti iu përgjigj edhe akuzave të Luan Ramës i cili ka artikuluar ndaj presidentit mungesën e një vlerësimi ndaj figurës së Dizdarit.
“S’do dëshiroja që sot në këtë moment ku duhet të jemi të fokusuar te ndihma ndaj profesorit të merremi me situata keqdashëse. Presidenti ka vendosur ta dekorojë Dizdarin, Meta ia ka thënë vetë atij. Profesori ka kërkuar që ta shtyjë, por dekorata është aty. Është pavend e malinje që të spekulosh në një situatë të tillë ku ne duhet të bëjmë ç’është e mundur ta ndihmojnë. Meta vihet në dispozicion të autoriteteve shëndetësore për të mundësuar çdo ndërhyrje ndaj tij”, shtoi ai.
/abcnews.al