Kryefjala e panairit të librit të këtij viti, mund të thuhet se ka qenë letërsia shqipe. Dhe pse përkthyer në shifra nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh me një vit më parë. Por shtëpitë botuese kanë shprehur ankesë për taksat e larta që rrjedhimisht ndikojnë në kostot e librit dhe për pasojë dhe në shitje…..
Panairi i 22 i librit, mblodhi rreth vetes shumë dashamirës të librit, por nuk munguan edhe ekskursionet e organizuara nga kopshtet dhe shkollat, një mënyrë jo fort e gjetur, për t’i orientuar drejt librit. Megjithëse e rëndësishme është që në këto 5 ditë, kryefjala ishte libri.
Në këtë edicion nuk munguan titujt e rinj, të cilët u përkthyen edhe në mbajtjen e shitjeve në të njëjtat shifra si një vit më parë, pasi libri këtë vit ka shënuar tkurrje në kopje të botuara për shkak të rënies së shitjeve. Si shenjë pozitive e këtij panairi mund të cilësohet, përmbysja disi e raporteve mes letërsisë së huaj dhe asaj shqiptare. Për autorët shqiptarë, jo vetëm kishte rritje në numër, por edhe në cilësi, e nuhatur kjo edhe në shijet e lexuesve.
Sigurisht që autorët e njohur të letërsisë botërore, vazhdojnë të jenë në krye të preferencave, ku nuk mungon edhe vëmendja drejt nobelistes polake, Olga Tokarczuk me romanin “Shtërgjet” dhe përkthyese, Edlira Llohja. Si problematikë, botuesit shohin taksën 6 për qind e cila sipas tyre ka sjellë pasoja të mëdha këtë vit tek libri dhe 15 për qind tek përkthyesit, këto dy taksa sipas tyre kanë ndikuar në rritjen e kostos së librit. Ndërkohë që kryetari i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri thotë se kjo taksë është rregullator. Por ajo çfarë trishton lexuesit, është post panairi, ku bota librore, shënon një pauzë dhe rutinë, e cila nuk ka ecurinë e 5 ditëve të ngjeshura të panairit, për shkak të mungesës së librarive./abcnews.al