Protesta mbrëmjen e sotme u zhvilluan edhe në Lushnjë, por edhe në Bulqizë. Të rinjtë e qytetit të Bulqizës, protestuan në mbrëmjen e sotme përpara godinës së komisariatit të policisë. Ata apeluan për zbardhjen e së vërtetës dhe ndëshkimin e përgjegjësve për vrasjen e 25 vjeçarit, Klodian Rasha.
Protestuesit u mblodhën në orën 21:30 dhe fillimisht ndezën qirinj në përkujtim të 25 vjeçarit, Klodian Rasha, që u ekzekutua nga një efektiv policie i njësisë “Shqiponja” në Tiranë. Protesta e të rinjve zgjati afro gjysmë ore përpara policisë dhe më pas marshuan në pedonalen e qytetit.
Megjithëse reshjet e shiut nuk reshtën të rinjtë ishin me dhjetëra. Thirrjeve të tyre ju bashkuan edhe qytetarë të shumtë, të cilët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke e cilësuar sjelljen e policisë si pjesë e një sistemi shtetëror diktatorial. Marshimi përfundoi pas 1 ore. Gjatë protestës nuk pati konfrontime me policinë./ db/Abcnews.al