Pamjet e arrestimit të autorëve të grabitjes së bankës, momenti kur nxirret arma nga uji

schedule11:01 - 5 Qershor, 2022

schedule 11:01 - 5 Qershor, 2022

Ky është momenti kur arrestohen autorët e grabitjes së bankës në Koplik, Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj të Malësisë së Madhe.

Në pamjet e policisë shfaqet dhe momenti kur efektivi nxjerr nga uji armën kallashnikov që është përdorur gjatë grabitjes nga autorët. Nga hetimet rezultoi se armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov. Aktualisht është duke vijuar kontrolli për të bërë të mundur gjetjen e armës tjetër.

Gjatë operacionit, nga kontrolli i banesave të autorëve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, konkretisht: Në banesën e shtetasit Bekim Gurraj u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes.

Po në vijim të operacionit është kontrolluar edhe banesa e Albin Shabajt, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës. Atij iu gjetën 9 kilogramë kanabis. Për pasojë, Albin Shabaj, vëllai i tij, Altin Shabaj dhe babai i tyre Ermir Shabaj, u arrestuan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë gjatë kontrollit të banesës së Ramiz Nikdukajt, 64 vjeç, banues në Koplik, u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së tij. Për pasojë Nikdukaj është vënë në pranga. Në flagrancë u kapën edhe dy persona nga Cërriku i Elbasanit,  A. L, 43 vjeç dhe B. K., 64 vjeç”, të cilët punonin në ambientin ku kultivoheshin bimët narkotike.

Djali i Nikdukajt, Almir Nikdukaj është shpallur në kërkim, ndërsa vajza e tij, është proceduar në gjendje të lirë. 2 elektricistë të zonës janë proceduar po ashtu në gjendje të  lirë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!