Pasi përshkuan një distancë rekord prej 406,771 km larg Tokës dhe bënë një rrotullim rreth hënës, astronautët e Artemis II janë në rrugën e tyre për në shtëpi.
Astronautët panë pjesë të sipërfaqes së Hënës që nuk ishin parë kurrë më parë, zona në anën e largët që nuk janë të dukshme nga Toka.
Teksa patën edhe një komunikim me presidentin amerikan, Donald Trump, astronauti Reid Wiseman ishte i pari që u përgjigj duke thënë se telefonata nga presidenti ishte “sigurisht shumë e veçantë për të gjithë ne”.
“Ne pamë pamje që asnjë njeri nuk i ka parë ndonjëherë, madje as Apolloni, dhe kjo ishte e mahnitshme për ne”, tha Wiseman.
Ai vazhdoi të shpjegonte vëzhgimet e ekuipazhit për eklipsin diellor dhe tha se të katër anëtarët e ekuipazhit ishin të emocionuar.
Astronautët u ngritën të mërkurën nga Qendra Hapësinore Kennedy në Cape Canaveral, Florida, dhe më pas kaluan rreth 25 orë duke u rrotulluar rreth Tokës.
Ata do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore në bordin e anijes ndërsa kthehen drejt Tokës, sipas NASA.
Anija kozmike Orion la orbitën e Tokës të enjten në mbrëmje dhe më pas hyri në sferën hënore, ku tërheqja e gravitetit të Hënës është më e fortë se ajo e Tokës. Ekuipazhi pritet të kthehet në Tokë të premten në mbrëmje./abcnews.al


