Pamje me dron nga Oboti, fshati që kthehet në liqen çdo dimër, kryetari: Të shpallet emergjenca

schedule16:43 - 26 Janar, 2021

schedule 16:43 - 26 Janar, 2021

Në Obot nuk futet do më asnjë automjet pasi niveli i ujit është rritur dhe më shumë krahasuar me ditën e hënë. ABC sjell pamjet me dron nga gjendja aktuale në këtë zonë që sa herë bie shiu përmbytet.

Rruga e Obotit është bllokuar totalisht. Niveli i ujit në rrugë i kalon 1 metër e 20 cm sa që dhe për mjete e larta të ushtrisë është e pamundur të qarkullojnë. Jac Pemaj është një prej banorëve të Obotit, familja e të cilit prej ditësh është izoluar dhe nuk ka me cfarë të ngrohet.

Ka përdorur një varkë për të dalë nga uji por nuk di si do vazhdojë më tej për të siguruar dru për familjen. “Kam fëmijët pa dru. Do gjej një makinë me ble 1 metër dru. Do i marr me krahë se s’dua ti lë fëmijët pa dru” tha ai.

Kreu i njësisë administrative Ana e Malit kërkon që të shpallet gjendja e emergjencës. Niveli i ujit në zonat e banuara është rritur. “Jemi në nivelet më të larta të këtyre 17 ditëve të përmbytjeve. Në Anën e Malit niveli i ujit ka shkuar deri 2 metra  e gjysmë.

Gjendja është kritike janë mbi 1100 hektarë të përmbytura. Ti dalë shteti për zot situatës se po merr përmasa si në 2018.  Uji ka vërshuar dhe në stallat e bagëtive. As ujë të pijshëm nuk kemi, të dalin për zot. Të shpallet gjendja  emergjencës. Problem prej dy javësh mbetet dhe baza ushqimore për bagëtitë” tha ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!