Shirat e dendur dhe erërat e ftohta në Gaza gjatë natës kanë përkeqësuar gjendjen edhe ashtu të rëndë që po përballen familjet e zhvendosura palestineze të detyruara të largohen nga shtëpitë e tyre dhe tani të grumbulluara në tenda të dobëta dhe të përmbytura.
Al Jazeera raporton se në një kamp tendash në Rafah, i vendosur në terrenin me rërë të mbushur me mbeturina, njerëzit u panë duke mbajtur kova me rërë për të mbuluar pellgjet brenda ose rreth tendave të tyre.
“Djali im është i sëmurë për shkak të të ftohtit të ashpër dhe vajza ime është zbathur. Është sikur të jemi lypës”, tha 38-vjeçarja. “Askush nuk kujdeset dhe askush nuk ndihmon”.
Ndërsa Yasmin Mhani tha se u zgjua natën për të gjetur fëmijën e saj shtatë muajsh të lagur. Familja e saj prej pesë anëtarësh po ndajnë një batanije të vetme pasi shtëpia e tyre u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit dhe ata humbën një nga fëmijët, si dhe të gjitha pasuritë e tyre. Ndërkohë pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan njerëz që ecnin nëpër rrugët e përmbytura.
Madje, shirat e dendur dhe erërat e forta e kanë bërë më të vështirë varrimin e të vdekurve.
Palestinezët në Gaza janë larguar nga jugu me dhjetëra mijëra me çdo mjet të nevojshëm – makinë, kamion, karrocë me kuaj ose në këmbë – duke e kthyer Rafahun në një “oazë” çadrash dhe strehimoresh të improvizuara prej druri dhe mbulesa plastike.